Në Himarë gjen gjithçka. Himara edhe këtë mes qershori është thuajse plot. Qyteti i vogël bregdetar i Rivierës sonë, mbetet vendi i përsosur për t’u qetësuar, për një, dy ose më shumë ditë. E pohojnë vetë pushuesit të cilët thanë për ATSH-në se këtu kanë gjetur gjithçka.

Pyetëm si fillim një çift gjerman, të cilët po drekonin në një nga restorantet e vogla të Potamit.

“Jemi shumë të befasuar, vërtet. Për natyrën kishim krijuar një ide nga fotot dhe instagrami por kur erdhëm, ishte shumë më e bukur. Kemi bredhur në botë në vende të mrekullueshme, por energjinë e Himarës nuk e kemi përjetuar. Sa për ushqimin duhet të jeni krenarë se keni një prej kuzhinave më të mira në botë”, thanë ata.

Himara është një qytet relativisht i vogël, ku njerëzit vijnë për t’u çlodhur e asnjë qëndrim këtu nuk është i plotë pa përhumbjen nëpër plazhet dhe gjiret e saj të mrekullueshme.

Gjen këtu nga të gjitha, plazhe me guralecë, plazhe ranorë, limanë të vegjël, gjire të fshehura me ujëra bruzë e gurë të çmuar.

Një grup të rinjsh britanikë, ndaloi për pak (ishin me biçikleta) dhe iu përgjigj menjëherë pyetjes sonë. Si përfundim ia vlejti ky udhëtim?

“Po super kënaqemi, realisht një vend i paparë fare. Ishim në Kala Festival, fantastike vërtet. Këto ditë pas netëve pa gjumë, patëm mundësi të qetësoheshim dhe të bënim atë për të cilën edhe erdhëm, pedalim dhe aventurë. Kemi gjetur gjire dhe plazhe që janë si në ëndrra. Absolutisht fantastike dhe është kaq lirë. Pastaj Anglia fitoi, çfarë duam më shumë”, u shprehën disa prej tyre.

Patjetër që ky qershor është edhe më i veçantë pasi atmosfera e EURO 2024 e bën Himarën më nacionaliste se kurrë.

Të ndjekësh ndjeshjet e skuadrës së zemrës buzë Jonit është eksperiencë e bukur. Nëse dëshiron “Fan Zone”-n e bashkisë e gjen në pedonale, por nëse shkon me vonesë vështirë se gjen tavolinë, pasi janë të rezervuara. Ky është habitati i tifozave më të zjarrtë.

“Fan Zone” tjetër është mu buzë detit dhe është i veshur krejt me flamuj kuq e zi. Këtu gjen më së shumti grupmosha të reja dhe romantikët e buzëmbrëmjeve.

Ja kështu, qyteti i vogël bregdetar po kalon një tjetër verë të mbarë, pasi mbetet absolutisht një vend special, ku të gjithë turistët vendas dhe të huaj mund të gjejnë lehtësisht parajsën e tyre./ata