Kostoja në ndërtim u rrit me 7 % në tremujorin e katërt të vitit 2022.

 

Sipas raportit të publikuar sot nga INSTAT, Indeksi i Kushtimit në Ndërtim, në tremujorin e katërt 2022 arriti 110.3 kundrejt tremujorit të katërt 2020 si periudha bazë.

 

Ndryshimi vjetor i Indeksit të Kushtimit në Ndërtim në tremujorin e katërt 2022 është 7 %, një vit më parë ky ndryshim ishte 3.1 %.

 

Krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “shpenzime energjie” me 14.1 %, pasuar nga grupet, “shpenzime materiale” dhe “kosto të tjera” me 7.9 % secila, “shpenzime makinerie” me 5.3 %, “shpenzime për paga” me 5 % dhe “shpenzime transporti” me 1.9 %.

 

Brenda grupit “shpenzime materiale”, indekset e nëngrupit “materiale ndërtimi” shënuan rritjen më të lartë me 8.4 %, pasuar nga grupi “materiale hidro-sanitare dhe ventilimi” me 7.8 % dhe “materiale elektrike dhe komunikimi” me 5.9 %.

 

Ndërsa krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2022, kosto në ndërtim shënoi rritje me 0.8 %. Rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “shpenzime materiale”./ATSH