Rrethrrotullimi më i ri, i ndodhur mes dy lagjeve të njohura të qytetit të Beratit, Goricës dhe Mangalemit, është thuajse gati.

Me përfundimin e punimeve automjetet do të lëvizin më lirshëm, duke lehtësuar qarkullimin sidomos në sezonin turistik.

Kryetari i bashkisë së Beratit, Ervin Demo tha se falë motit të mirë, puna po ecën me ritme të shpejta në nyjen kyçe të qytetit, mes Goricës dhe Mangalemit.

“Bëhemi gati për të përballuar fluksin e një tjetër sezoni turistik fantastik”, tha Demo.

Ndërkohë që bashkia po punon nga qyteti, në fshat, për mirëmbajtjen e rrugëve.

“Aktualisht ndërhyrja po kryhet në rrugët e brendshme të Veterrikut, në njësinë administrative Velabisht në kuadër të projektit “Rrugë të Bardha”. Ky projekt është në shërbim të banorëve të zonave rurale”, tha Demo.

Vitet e fundit bashkia e Beratit po kryen një sërë investimesh në infrastrukturën e rrugëve të qytetit, si dhe në trotuare, instalimin e sistemit të ndriçimit, përmirësimin e rrjetit të furnizimit me ujë dhe rrjetin e ujërave të zeza.

Berati, qyteti unik i futur në listën e pasurive të trashëgimisë botërore të UNESCO-s, i ngritur buzë lumit Osum, rreth 2400 vjet më parë, është një nga destinacionet turistike kryesore në vend./ata