Në ambientet e Qendrës “Sotir Kolea”, Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, në bashkëpunim me Ambasadën e Republikës Çeke dhe Ambasadën e Austrisë, zhvilluan veprimtarinë kulturore “Franz Kafka në Shqipëri”.
Në 100-vjetorin e ndarjes nga jeta dhe në nderim të figurës së shkrimtarit të absurdit, të paradokseve dhe të kontrasteve, ishin ftuar në një ligjëratë të hapur për publikun botuesja, shkrimtarja dhe regjisorja çeke, Markétá Mališová, dhe kryetarja e Shoqatës Austriake “Franz Kafka”, Charlotte Aigner. Ato prezantuan për lexuesin shqiptar fakte interesante jo vetëm për krijimtarinë letrare të Kafkës, por edhe për jetën private të shkrimtarit të famshëm çek gjermanishtfolës, të ilustruara me foto mbresëlënëse.
Kjo veprimtari, e cila u çel nga nëndrejtorja e BKSH-së, Etleva Domi, u përshëndet edhe nga vetë kryediplomatët e ambasadave respektive, Ambasadori i Republikës Çeke në Shqipëri, Karel URBAN dhe Ambasadori i Austrisë në Shqipëri, Christian Steiner.
Në përfundim të ligjëratave, përkthyesja dhe bibliografja Elda Gjana Boriçi lexoi për të pranishmit disa pjesë nga shkrimet e Franz Kafkës, përkthyer nga ajo vetë dhe nga i ndjeri Ardian Klosi.
Me rastin e kësaj veprimtarie, BKSH-ja çeli edhe ekspozitën “Kafka në koleksionet e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë”, e cila do të qëndrojë e hapur për lexuesit në hollin kryesor të BKSH-së./ata