19 qershori është shpallur nga OKB-ja si Dita Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës Seksuale në Konflikte. Termi “dhunë seksuale e lidhur me konfliktin” i referohet përdhunimit, skllavërisë seksuale, prostitucionit të detyruar, shtatzënisë së detyruar, abortit të detyruar, sterilizimit të detyruar, martesës së detyruar dhe çdo forme tjetër të dhunës seksuale të gravitetit të krahasueshëm të ushtruar ndaj grave, burrave, vajzave ose djemve, që lidhet drejtpërdrejt ose tërthorazi me një konflikt.
Termi përfshin gjithashtu trafikimin e personave kur kryhet në situata konflikti me qëllim të dhunës ose shfrytëzimit seksual.
Frika dhe stigma kulturore konvergojnë për të fenuar viktimat të denoncojnë një dhunë të tillë. Për çdo përdhunim të raportuar në lidhje me një konflikt, 10 deri në 20 raste të tjera mbeten të padokumentuara.
Shpallja e kësaj dite ka si qëllim rritjen e ndërgjegjësimit për t’i dhënë fund dhunës seksuale të lidhur me konfliktin, për të nderuar viktimat dhe të mbijetuarat e dhunës seksuale në mbarë botën dhe për të nderuar të gjithë ata që me guxim ia kanë kushtuar jetën dhe kanë humbur jetën e tyre në mbrojtje për çrrënjosjen e këtyre krimeve.
Duke pranuar dhunën seksuale si një taktikë terrorizmi, Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, pohon se viktimat duhet të kenë të drejtë për dëmshpërblim zyrtar si viktima të terrorizmit.
Sipas OKB-së, bota aktualisht përjeton numrin më të madh të konflikteve që nga Lufta e Dytë Botërore, me 117 milionë njerëz të detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre. Mosrespektimi i ligjit ndërkombëtar, përhapja e armëve dhe militarizimi në rritje po përkeqësojnë dhunën seksuale dhe po paraqesin kërcënime serioze për sigurinë e civilëve, duke përfshirë grupet e cenueshme.
“Le të zotohemi se do ta eliminojmë këtë fatkeqësi, të solidarizohemi me të mbijetuarit dhe të riafirmojmë angazhimin tonë për të mbrojtur spitalet dhe objektet e kujdesit shëndetësor gjatë konfliktit”, deklaroi sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres./ata