Qeveria ka lehtësuar procedurat për banorët e zonave rurale, që duan të ndërtojnë në pronën e tyre.

Të gjithë qytetarët në zonat rurale që duan të ndërtojnë një shtëpi për banim në pronën e tyre, do të përfitojnë leje ndërtimi të thjeshtuar brenda 30 ditësh duke paraqitur pranë Bashkisë vetëm tre dokumenta: Formularin e aplikimit për ndërtim; certifikata e pronësisë; deklarim i noterizuar për përgjegjësinë mbi vërtetësinë e dokumentacionit dhe për realizimin e punimeve sipas ligjit.

Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku bëri të ditur se, tashmë banorët e zonave rurale, do të mund t’i ndërtojnë ato vetëm duke paraqitur një formular aplikimi dhe vërtetim për zotërimin e pronës.

“Një lajm i mirë për të gjithë banorët e zonave rurale që duan të ndërtojnë në pronën e tyre shtëpi banimi, shtesa të banesave, të riparojnë fasadat, muret rrethuese dhe të ndërtojnë sera apo impiante hidraulike bujqësore”, shkroi Mazniku në rrjete sociale.

Sipas tij, ky është një lehtësim i madh për qytetarët pasi përgjigja nga bashkia përkatëse për konfirmimin e aplikimit do të vijë brenda 10 ditëve.

Mazniku bëri të ditur se, procedurat për dhënien e lejes së ndërtimit do të thjeshtohen dhe do të trajtohen brenda 30 ditëve./ata