Delegacioni i nivelit të lartë i Bankës së Shqipërisë, i kryesuar nga zëvendësguvernatorja e dytë, Natasha Ahmetaj, përmbylli me sukses takimin inagurues të bashkëpunimit afatgjatë me Bankën e Italisë, me fokus trajtimin e bazës së të dhënave.

Qëllimi i këtij bashkëpunimi është evoluimi i sistemit të informacionit statistikor në Bankën e Shqipërisë drejt një platforme të menaxhimit dhe analizës së avancuar të të dhënave. Diskutimet intensive gjatë dy ditëve të vizitës eksploruan më në detaje kërkesat dhe nevojat e Bankës së Shqipërisë, si dhe mundësinë e përmbushjes së tyre përmes adaptimit të platformës Infostat, të përdorur prej vitesh nga Banka e Italisë.

Platforma Infostat është një ndër modelet e suksesshme të këtij lloji për bankat qendrore dhe i përgjigjet më së miri objektivit tonë për të avancuar drejt një sistemi plotësisht të integruar dhe me të dhëna granulare për të gjithë sektorët që mbulojmë. Përparimi në këtë proces dhe përdorimi potencial i Infostat-it për informacionin tonë statistikor do të sigurojë nivel më të lartë të integritetit të të dhënave dhe eficiencës operacionale, si dhe një proces vendimmarrës më të informuar. Një zhvillim i tillë përbën një hap kyç në harmonizimin me disa nga standardet rregullatore të Bashkimit Evropian, duke përmbushur kështu edhe disa nga objektivat tona në procesin e integrimit evropian.

Zëvendësguvernatorja Ahmetaj i shprehu mirënjohjen zëvendësguvernatorit të Bankës së Italisë, Paolo Angelini, dhe gjithë ekipit të Bankës së Italisë, për mikpritjen e ngrohtë, diskutimet frytdhënëse dhe mbështetjen e vazhdueshme. Ajo theksoi se Banka e Shqipërisë pret me padurim vijimin e këtij partneriteti për arritjen e qëllimeve dhe përmbushjen e detyrimeve tona ligjore.

“Banka e Shqipërisë mbetet e angazhuar në plotësimin e standardeve lidhur me cilësinë e të dhënave dhe zbatimit të metodologjive të standardizuara, duke reduktuar në këtë mënyrë rrezikun e pasaktësive dhe të mospërputhjeve. Kjo siguron transparencë dhe vendimmarrje të informuar për të gjitha palët e interesuara, duke qenë thelbësore për ruajtjen dhe integritetin e të dhënave tona ekonomike”, tha Ahmetaj./ata