Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se me Danimarkën, Shqipëria ka një histori marrëdhëniesh diplomatike shumë të mira, ndërsa theksoi nevojën për thellimin e tyre në aspektin ekonomik dhe turizmit.

 

“Mes nesh, Shqipërisë dhe Danimarkës ka një histori marrëdhëniesh diplomatike shumë të mira. Danimarka ka qenë prezente në të gjithë procesin e transformimit të vendit, qoftë përmes agjencisë së saj të ndihmës, por mbi të gjitha politikisht e diplomatikisht si një mbështetëse e vendosur e Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor në procesin e integrimit europian”, u shpreh Kryeministri Rama, gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me Kryeministren e Danimarkës, Mette Frederiksen e cila ndodhet në Tiranë për vizitë zyrtare.

 

Nga ana tjetër, Rama duke vënë theksin te fakti se historia e viteve të fundit ka qenë histori krizash të rënda, tha se vizita e Kryeministres këtu, ka një rëndësi të veçantë edhe për marrëdhëniet gjeopolitike mes Europës së bashkuar dhe Ballkanit Perëndimor, dhe për vetë marrëdhëniet e këtij vendi me Ballkanin Perëndimor.

 

“Ne shikojmë një rritje të konsiderueshme të numrit të turistëve danezë në Shqipëri dhe fluturimet direkte nga Kopenhagen në Tiranë, janë rritur vit pas viti. Ndërsa shikojmë edhe një interes të sipërmarrjes daneze. Nuk flas për një sërë arkitektësh të famshëm me reputacion të madh ndërkombëtar që janë në Tiranë dhe kanë kontribuuar për transformimin e kryeqytetit tonë dhe jashtë tij me talentin dhe disiplinën e tyre të jashtëzakonshme. Po flas edhe për biznese të tjera në fushën e energjisë apo në fushën e tregtisë“, u shpreh kryeministri.

 

Ai tha se shpresonte që kryeministrja duke qenë edhe një personazh i rrjeteve sociale të Danimarkës me vizitën e saj të ketë influencuar për rritjen e turistëve danezë në Shqipëri.

 

Rama duke e cilësuar historike vizitën e saj në Tiranë e falënderoi atë edhe për mbështetjen e dhënë për Shqipërinë në një moment të vështirë kur një tërmet katastrofik la në qiell të hapur mbi 15 mijë familje.

 

“Nuk do ta harroj kurrë që një nga të parët që më kanë shkruar dhe ofruar ndihmë ishte kryeministrja e Danimarkës”, tha Rama.