Teksa bëri bilancin e punës 1-vjeçare të Gjykatës Kushtetuese, kryetarja Holta Zaçaj kishte një mesazh të qartë për klasën politike. Rruga e vetme është zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, tha Zaçaj drejtuar ligjvënësve duke theksuar se nuk ka asnjë mënyrë tjetër sjellje nëse duam që institucionet e një shteti ligjor të udhëhiqen nga parimi i demokracisë.
“Ajo që dua të theksoj është që nëse mund ta jap si mesazh për politikën është se zbatimi i vendimeve të GJK është rruga e duhur, e nevojshme dhe e vetme”, u shpreh Zaçaj.
Interesi i medias ishte i madh për shumë vendimmarrje të Kushtetueses, nga vota e diasporës deri te mandati për Olta Xhaçkën, për të cilat Zaçaj tha se zbatimet e vendimeve të dhënga trupa e Gjykatës Kushtetuese janë detyrim ligjor.
“Të vësh në pikëpyetje zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, është e paimagjinueshme në një shtet ligjor”, tha Zaçaj.
Zaçaj ju përgjigj edhe interesit për çështjen Beleri, ku tha se nuk ka një kërkesë nga palët për përshpejtimin e kërkesës për zëvendësimin e masës së sigurisë.
“S’ka ardhur në proces, është duke u përgatitur, janë duke u marrë materialet”, vijoi Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese.
Një përgjigje pati edhe për vendimin që i dha dritën jeshile marrëveshjes Rama-Meloni për emigrantët.
“Gjykata tha me bindje se shteti shqiptar vijon të ketë juridiksion. Thamë që përgjegjësia e shtetit shqiptar vazhdon të mbetet, nuk mohuam përgjegjësinë e shtetit shqiptar lidhur me këto zona, e pamë juridiksionin e shtetit italian në funksion të detyrimeve që ka shteti italian në bazë të se drejtës ndërkombëtare”, tha Zaçaj.
Sa i takon intimidimeve nga politika, kryetarja e Kushtetueses tha se kërkon kurajo të marrësh vendime që nuk janë popullore.
"Bëjmë përpjekjet për të funksionuar në mënyrë hermetike, do kurajo të japësh edhe vendime që nuk janë popullore", u shpreh ajo.
Zaçaj u ndal edhe tek buxheti për Gjykatën Kushtetuese duke thënë se nuk është i mjaftueshëm.
“Gjykata ka bërë përpjekje të vazhdueshme për përmbushjen e objektivave me qëllim dhënien e një drejtësie funksionale. Në kushtet e një buxheti të panevojshëm gjykata mori nisma konkrete për përmirësimin, miratimin e rregullores për funksionimin e administratës, rregulloren për komunikimin e gjykatës me median dhe ridimensionimi i marrëdhëniet me të dhe publikun”, tha ajo.
Ndalur në bilancin për vitin 2023, Zaçaj theksoi se Kushtetuesja nuk ka stok dosjesh të prapambetura, si asnjë gjykatë tjetër në vend. Në 2023 Zaçaj tha se Gjykata kishte pati 367 kërkesa, u dhanë 353 vendime, ku 70 prej tyre ishin përfundimtare. Sipas saj në Kushtetuese gjatë vitit 2023 pati dyfishim kërkesash dhe vendimesh.