Kreu i Bashkimit Kombëtar të Francës, Jordan Bardella ka deklaruar se e kundërshton dërgimin e trupave franceze në Ukrainë.

Ndërsa shprehu mbështetjen për furnizimin me armë të Kievit, vija e tij e kuqe mbetet dërgimi i raketave me rreze të gjatë veprimi, në gjendje të arrijnë Rusinë, pasi një gjë e tillë, mendon ai, mund të përshkallëzojë konfliktin.

Ndërkohë, duke komentuar vendimin e qeverisë për të ndaluar pjesëmarrjen e Izraelit në panairin e armatimeve Eurostatory, që po zhvillohet në Paris, Bardella tha se ai e dëshiron vijimin e partneritetit mes Francës dhe Izraelit në fushën e mbrojtjes.

Ndërkohë, në kuadër të fushatës elektorale, kryeministri Gabriel Attal kritkoi deklaratën e fundit të Bardellas se do ta refuzonte postin e kryeministrit nëse nuk do të siguronte një mazhorancë absolute në Parlament.

 

 “Pata nderin të bëhesha kryeministër në 5 muajt e fundit, në kohë tejet të vështira, me luftën që është kthyer në Evropë, ndryshimet e klimës, erozionin gjeopolitik dhe sfida të tjera si hyrja e inteligjencës artificiale, duke u përballur me vështirësi dhe një shumicë relative. Por nuk e kam menduar as për një sekondë se kjo është shumë e komplikuar dhe nuk do të përfshihem. Kjo tregon një gjë: që Bashkimi Kombëtar është parti opozite, jo parti qeverisëse”,-tha Attal.

Fushata elektorale për zgjedhjet e parakohshme të 30 qershorit dhe 7 korrikut nisi zyrtarisht të hënën./EuroNews