Ministri i Brendshëm, Taulant Balla deklaroi sot se Shqipëria ka bërë progres në luftën kundër krimit të organizuar dhe se Zyra e Rikuperimit të Aseteve është një instrument i rëndësishëm brenda Policisë së Shtetit e cila do të gjurmojë pasuritë e fshehura nga aktivitetet kriminale dhe korrupsioni.

Në një prononcim për mediet, pas një takimi me donatorët, në Tiranë, Balla theksoi se për ngritjen e kësaj zyre ekspertët i janë referuar modeleve më të mira të vendeve të Bashkimit Europian.

“E kemi vendosur si një prej objektivave tona të rëndësishëm në kuadër të rrugës së anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Teknikisht është diçka që i kishte munguar strukturës së Policisë së Shtetit në luftën kundër krimit të organizuar. Parimi: ndiq paratë ka rezultuar i suksesshëm në luftën kundër të gjitha formave të krimit, e veçanërisht atij të organizuar. Edhe nga rezultatet e deritanishme kuptojmë se duhet punë hetimore efikase për të identifikuar, gjetur dhe konfiskuar asete apo llogari bankare apo gjithçka tjetër që krimi ka përfituar apo krijuar për shkak të aktiviteteve kriminale”, u shpreh ministri.

“Partnerët tanë, BE e SHBA, por edhe partnerët e tjerë e kanë mbështetur. Presim nga Komisioni Europian leximin e fundit të draftit për ta kaluar më pas në qeveri dhe Kuvend.

“Shpresojmë të kemi mbështetjen e opozitës në këtë përpjekje për të intensifikuar luftën tonë kundër krimit të organizuar”, u shpreh Balla./ata