Enkelejd Alibeaj, Sekretari i Përgjithshëmi i Partisë Demokratike të drejtuar nga Basha, deklaroi sot ndarjen me grupin parlamentar të PD-së që tashmë drejtohet nga Sali Berisha, pas vendimit të Gjykatës së Apelit që kthen vulën tek ish-kryeministri.
Alibeaj në një reagim në rrjetet sociale deklaroi se mbetet tek bindja se berishizmi, si mendësi e kulturë politike duhet larguar nga PD dhe politika.
“Berishizmi i Ramës është prova më e qartë në sytë e shqiptarëve se çfarë zymtësie dhe dëshpërimi ka krijuar për ta. Sido që të jetë e vërteta e numrave, ajo që vlen është e vërteta e asaj që beson se do sjellë më të mirën për vendin dhe qytetarët”, u shpreh Alibeaj.
“Unë jam demokrat sepse besoj te vlerat për të cilat dikur lindi si PD. Ama nëse për të qenë “demokrat” kushti është të jesh “berishist” dhe me Sali Berishën, nuk jam i tillë. E duke pretenduar të mos jem pjesë e modelit të vjetër në politikë, duke u përpjekur të jem koherent me qëndrimet e deritanishme deklaroj se nuk i bashkohem grupit parlamentar të PD të drejtuar nga Sali Berisha”, theksoi ai.
“Kjo është zgjedhja ime në shenjë respekti ndaj vendimit të gjykatës, qëndrimit tim të deritanishëm, atyre që e mendojnë ndryshe nga unë, dhe ndjesisë së trishtë se një PD e tillë, kështu as nuk i shërben shqiptarëve që duan ndryshimin e as ata të japin dot besimin”, tha Alibeaj.
Sipas tij, PD për këto 3 vjet, nuk ka qenë një “casus” juridik, por vullnet i lirë politik i njerëzve që besonin tek vlerat e saj.
“Akuzat, sulmet dhe llumi që pjesa e drejtuar nga Berisha hodhi ndaj të gjithë atyre që guxuan ta kundërshtojnë linjën e tij në PD është gjithashtu arsye e fortë për të kërkuar ndryshimin e forcës politike që shenjoi krijimin e pluralizmit në Shqipëri”, tha Alibeaj.
Ai përfundoi duke vlerësuar se vendimi i Gjykatës së Apelit disa ditë më parë shenjoi dhe status quo-n e kësaj partie, parti që zyrtarisht i përket Sali Berishës dhe mënyrës së tij të drejtimit dhe të bërit politikë.
“Personalisht jam ndarë me këtë mënyrë shumë vite më parë dhe në çdo kohë jam përpjekur të dëshmoj se i përkas një soji tjetër politik. Nuk besoj tek premtimi i Sali Berishës se PD-ja e tij do të ketë demokraci të brendshme dhe respekt për mendimin ndryshe”, tha Alibeaj./ata