Ministri i Brendshëm, Taulant Balla deklaroi sot se shumë shpejt do të nisë zbatimi i një aplikacioni të ri për komunikimin ndërmjet punonjësve të Policisë së Shtetit.

Ministri informoi se për këtë po punohet me Gjermaninë.

“Po punojmë me Gjermaninë për të pasur brenda Policisë së Shtetit një sistem të ri komunikimi, duke mos përdorur më aplikacionet e njohura që përdoren deri tani nga të gjithë, por të kemi një aplikacion tonin komunikimi, i cili të monitorojë çdo lloj forme komunikimi brenda Policisë së Shtetit, zbatimi i të cilit do të nisë brenda pak kohësh”, deklaroi Balla,në një prononcim për mediet pas një tryeze me donatorët në Tiranë.

Balla bëri të ditur se po ashtu do të ketë një fokus tjetër sa i përket Akademisë së Sigurisë.

“Duam të kemi një Akademi që jo vetëm të prodhojë oficerët e rinj të policisë, por duam të ndërlidhim Akademinë me punën e përditshme të policisë. Për sa kohë krimi aplikon teknologji të ndryshme na duhet edhe ne të krijojmë njohuritë e nevojshme te çdo punonjës sa i përket përballjes me krimin”, tha Balla./ata