Kryetari i parlamentit të Kosovës Glauk Konjufca ka marrë pjesë në seancën plenare të Asamblesë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP PA) e mbajtur në Shkup.
Konjufca tha se takime të tilla janë rikonfirmim i angazhimit të përbashkët për të nxitur bashkëpunimin rajonal, për ta promovuar zhvillimin ekonomik, për të rritur sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin në Europën Juglindore.
“Aty theksova se vizioni për bashkëpunim dhe për arritje të aspiratave të përbashkëta përmban ndër të tjera në vetvete edhe njohjen e Republikës së Kosovës nga të gjitha vendet e këtij rajoni, në mënyrë që t’i hapet rruga gjithëpërfshirjes dhe bashkëpunimit të plotë e të mirëfilltë.
Njëkohësisht, vura në dukje nevojën për të mbështetur aspiratën e Kosovës për anëtarësim në struktura ndërkombëtare, duke përfshirë edhe Këshillin e Evropës, në frymën e përkushtimit për një rajon sa më të bashkuar rreth vlerave dhe qëllimeve të përbashkëta. Një gjë e tillë u arrit më herët me liberalizimin e vizave për qytetarët e vendit tonë, gjë për të cilën jemi mirënjohës dhe kjo duhet të përsëritet, në frymën e të ardhmes së përbashkët”, u shpreh ai.
Konjufci përmendi në fjalën e tij edhe sulmin e 24 shtatorit në Banjskë, nga serbë të drejtuar nga Milan Radoiçiç.
“Në fjalën time, nënvizova edhe se ngjarja e 24 shtatorit 2023, kur kundër Republikës së Kosovës u krye një sulm i egër terrorist, me pasojë vrasjen e Rreshterit Afrim Bunjaku dhe plagosjen e dy policëve të tjerë, ishte goditje e rëndë jo vetëm për bashkëpunimin, por edhe për sigurinë dhe stabilitetin rajonal. Prandaj, ai akt duhet dënuar nga të gjithë pa përjashtim, ndërsa përgjegjësit të cilët strehohen dhe mbrohen nga Serbia duhet të vihen përballë drejtësisë. Pa këto qëndrime dhe veprime, do të jetë e vështirë të arrihen synimet e SEECP”, tha më tej Konjufca./BalkanWeb