Sonte do të zhvillohet edhe një nga sfidat më të shumëpritura të evropianit, ose më saktë ndeshja më e luajtur ndonjëherë në historinë e kompeticionit, klasikja Spanjë-Itali.
Të dyja këto skuadra janë përballur plotë 40 herë me njëra tjetrën, në të cilën 13 herë kanë fituar “La Roja-t”, 11 ndeshje kanë shkuar për “azzurrët”, ndërsa 16 sfida të tjera janë mbyllur në barazim.
Ndërkohë sa i takon përballjeve në finalet e një evropiani, të dyja këto përfaqësuese janë takuar 7 herë, në të cilat udhëheqin italianët me 3 suksese, 2 fitore për Spanjën dhe 2 sfida janë mbyllur në “paqe”.


Në prag të sfidës në konferencë për shtyp dolën të dy teknikët, me Spallettin, që nuk e konsderon decisive ndeshjen përballë “La Roja-s”.
“Spanja është një shkollë futbolli, pasi ka vite që i imponon kundërshtarit të njëjtën modul loje. Ata luajnë shpejtë e do të mundohen të na vendosin në vështirësi. Duhet të mundohemi të qarkullojmë topin dhe të demonstrojmë se dhe mënyra jonë e të luajturit është një shkollë futbolli. Dëshiroj të shoh një Itali bindëse në fushë, por kjo nuk është një sfidë deçsivie, theksoi ndër të tjera tekniku Spaletti.

Në krahun tjetër, shumë i motivuar u shfaq tekniku i Spanjës, Lusi de la Fuente, i cili e shikon shumë të rëndësishëm, takimin me “azzurrët”, madje e krahason atë me një finale të parakohshme.
“Dëshirojmë ta fitojmë këtë sfidë, pasi është një ndër ndeshjet më të rëndësishme të turneut. Të luash përballë Italisë, është si të luash një finale. Ata kanë një grup shumë të fortë lojtarësh, me individualitete të jashtëzakonshme brenda tij. Do të jetë një ndeshje e ekuilibruar”, shtoi ndër të tjera Luis de la Fuente./BalkanWeb