Koreja e Veriut dhe Rusia u zotuan t'i ofrojnë njëra-tjetrës ndihmë ushtarake "pa vonesë" nëse njëra prej tyre sulmohet nga një vend i tretë, sipas një marrëveshjeje të re partneriteti të nënshkruar pas samitit midis liderëve të dy vendeve, njoftoi të enjten media shtetërore e Phenianit.

"Nëse njëra nga të dyja palët vendoset në situata lufte për shkak të një pushtimi të armatosur nga një vend individual ose nga disa kombe, pala tjetër ofron ndihmë ushtarake dhe ndihmë të tjera pa vonesë, duke mobilizuar të gjitha mjetet që ka në zotërim", thuhet në një artikull të marrëveshjes - sipas Agjencisë Qendrore Koreane të Lajmeve.

Traktati gjithëpërfshirës i partneritetit strategjik u nënshkrua nga udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong-un dhe presidenti rus Vlladimir Putin të mërkurën pas bisedimeve në Phenian.

Sipas KCNA-së, marrëveshja gjithashtu kërkon që të dyja palët të mos nënshkruajnë marrëveshje me vendet e treta që cenojnë interesat thelbësore të tjetrit ose marrin pjesë në veprime të tilla.

Koreja e Jugut shpreh keqardhje

Koreja e Jugut shprehu të enjten "keqardhje" për marrëveshjen, duke pohuar se ajo "shkel drejtpërdrejt" rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

“Ne shprehim keqardhjen tonë që, pavarësisht paralajmërimeve të përsëritura nga komuniteti ndërkombëtar, Rusia dhe Koreja e Veriut kanë nënshkruar një marrëveshje gjithëpërfshirse të partneritetit strategjik dhe kanë përmendur hapur bashkëpunimin ushtarako-teknologjik”, tha zëdhënësi i ministrisë Lim Soo-suk në një konferencë për shtyp.


Koreja e Jugut do t'i përgjigjet ashpër çdo veprimi që kërcënon sigurinë tonë duke punuar me komunitetin ndërkombëtar, duke përfshirë aleatët tanë dhe vendet mike, tha Lim.

Lim shtoi se qeveria ka në plan të shpallë qëndrimin e saj zyrtar mbi përmbajtjen e traktatit.

 

Qeveria pritet të mbajë një takim të Këshillit të Sigurisë Kombëtare për të diskutuar rezultatin e samitit në Phenian, i cili përkoi me vizitën e parë të Putinit në Korenë e Veriut në 24 vjet./TRT