Ministria e Punëve të Jashtme e Türkiyes njoftoi se ka mirëpritur vendimin e Armenisë për të njohur shtetin e Palestinës.

Në një deklaratë me shkrim nga ministria thuhet: "Mirëpresim që Armenia, pas vendeve si Spanja, Irlanda, Norvegjia dhe Sllovenia ka vendosur të njohë shtetin e Palestinës".

Më tej në deklaratë thuhet se "Njohja e Palestinës është një nevojë e së drejtës, drejtësisë dhe ndërgjegjes ndërkombëtare dhe se kjo situatë është theksuar edhe më parë nga Türkiye".

Gjithashtu thuhet se Türkiye do të vazhdojë të tregojë përpjekje në drjetimin që Palestinën ta njohin më shumë vende.

Në deklaratën e Ministrisë së Punëve të Jashtme të ndarë nga agjencia zyrtare e lajmeve "Armenpress" të Armenisë, thuhej se shteti i Palestinës u njoh zyrtarisht nga Armenia.

"Armenia konfirmon edhe një herë përkushtimin e saj ndaj ligjit ndërkombëtar dhe parimeve të barazisë, sovranitetit dhe bashkëjetesës paqësore të popujve dhe njeh shtetin e Palestinës", thuhet në deklaratë./aa