Izraeli thirri sot ambasadorin armen për një "bisedë të ashpër qortuese" pasi Armenia tha se e njeh shtetin e Palestinës.
"Pas njohjes së një shteti palestinez nga Armenia, Ministria e Punëve të Jashtme thirri ambasadorin e Armenisë në Izrael për një bisedë të ashpër qortuese", tha Ministria e Jashtme në një deklaratë të shkurtër.
Më herët gjatë ditës, Armenia tha se e njeh shtetin e Palestinës, vendi i fundit që e ka bërë këtë gjatë luftës në Gaza, ku Izraeli ka vrarë më shumë se 37 mijë palestinezë që nga inkursioni i Hamasit më 7 tetor 2023. Jerevani tha se është kundër dhunës ndaj popullatës civile.
Spanja, Norvegjia, Irlanda dhe Sllovenia e kanë njohur së fundmi shtetësinë palestineze.
Mbi tetë muaj pas luftës izraelite, pjesë të mëdha të Gazës janë në rrënoja, krahas një bllokade gjymtuese të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.
Izraeli gjithashtu akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), e cila ka urdhëruar Tel Avivin të parandalojë aktet gjenocidale dhe të sigurojë ofrimin e papenguar të ndihmës urgjente për territorin e bllokuar./aa