Data 21 qershor konsiderohet si Festa Ndërkombëtare e Muzikës.
Ishte Ministria e Kulturës së Francës ideatorja e kësaj feste e cila më pas u quajt Dita Botërore e Muzikës. Qëllimi ishte për t’i krijuar hapësirë muzikantëve profesionistë dhe kryesisht atyre amatorë për të prezantuar punën e tyre në formën e një festivali muzikor.
Që prej 21 qershorit 1981, u caktua si Dita Botërore e Muzikës dhe vitet e fundit është përhapur shumë dhe festohet në rreth 110 vende të botës përfshirë edhe vendin tonë.
Data 21 qershor u zgjodh që të përkojë me solsticin e verës, një ditë që simbolizon ekuilibrin e përsosur mes dritës dhe errësirës. Ajo shërben si një metaforë për harmoninë dhe unitetin që sjell muzika në jetën tonë, duke kapërcyer dallimet dhe duke nxitur një ndjenjë bashkimi.
Ka qenë pikerisht data 21 qershor i vitit 1947, kur Fan Noli botoi monografinë “Beethoven and the French Revolution”.
Figura poliedrike e Nolit do të fokusohej në vitet ’30 në muzikologji. Para se të shtypej për botim, monografia “Bethoveni dhe revolucioni francez”, u mbrojt prej Nolit si tezë studimi në gusht të vitit 1939, në Kolegjin e muzikës të Universitetit të Bostonit. Përmes këtij studimi, Noli mori gradën shkencore të shkallës së parë në muzikë. Me këtë publikim, Noli mbrojti argumentin se Revolucioni Francez dhe idetë republikane patën ndikim të thellë në muzikën e Beethovenit./ata