Koordinatori për Anti-Korrupsionin Global në Departamentin amerikan të Shtetit, Richard Nephew vizitoi Tiranën.
Ai tha se në qendër të bisedimeve me autoritetet shqiptare, ishte rëndësia e eliminimit të pandëshkueshmërisë dhe e luftës kundër korrupsionit, si dhe ruajtja e përparimit të bërë në forcimin e drejtësisë së re dhe pavarësisë së saj.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës, zoti Nephew shprehet se Shqipëria ka bërë përparim në luftën ndaj korrupsionit, por se ka ende mjaft punë për të bërë.
Ai vlerësoi veçanërisht punën e SPAK-ut, si dhe komentoi nismën e fundit të shumicës socialiste për një cikël të ri reformash që lidhen me mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe antikorrupsionin.
Zyrtari i lartë ka takuar në SPAK, kreun e strukturës Altin Dumani, prokurorin e njohur Adnan Xholi dhe hetues të tjerë.
“Mendoj se SPAK po bën punë të shkëlqyer. Dhe sigurisht që i shohim të gjitha përpjekjet e mira që po bëhen dhe po bëjmë edhe ne përpjekjet më të mira për ta mbështetur SPAK dhe gjithçka që ai bën, por nuk mund të jetë gjithçka në shtysën kundër korrupsionit në Shqipëri.
Për të pasur sukses në luftën kundër korrupsionit, kërkohen përpjekjet e të gjithë shoqërisë dhe të gjithë qeverisjes. Prandaj mendoj se është me vend, që të gjenden mënyra të reja që të gjitha institucionet e ndryshme të qeverisë si dhe organizatat e shoqërisë civile të kontribuojnë për këto përpjekje për të ndarë ide dhe për të punuar bashkë teksa e bëjnë këtë” – tha Nephew./Dita