Në Shqipëri po mbahet Konferenca e 15-të Ndërkombëtare e Komisionerëve të Informimit (ICIC), ndërkohë në ceremoninë e hapjes ishin të pranishëm zyrtarë të lartë dhe përfaqësues të organizatave të ndryshme.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në fjalën e tij në ceremoninë e hapjes theksoi se e drejta për informim nuk është thjeshtë një instrument demokratik, por një parakusht për shëndetin dhe zhvillimin e demokracive funksionale.
Rama tha se ka kënaqësi të shikojë përparimin e bërë nga autoritetet shqiptare në Indeksin e Transparencës 2023 nga zyra e Komisonerit për të Drejtën e Informimit.
"E drejta për informim përballet me një kërcënim të madh në të njëjtën kohë kur kemi në dispozicion një mundësi të jashtëzakonshme, kështu që na takon ne ta përdorim sa më mirë, të vijojmë të investojmë në infrastrukturën digjitale dhe në programet e edukimit për t'u siguruar që të gjithë qytetarët të kenë qasje të përdorin me efektivitet platformat digjitale", tha ndër të tjera Rama.
Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale të Shqipërisë, Besnik Dervishi, në fjalën e tij u shpreh se duke pasur parasysh transformim e shoqërisë dhe teknologjinë moderne, si inteligjencën artificiale, "kemi privilegjin të kemi akses të menjëhershëm në të dhënat publike dhe informacionin publik".
"Është e rëndësishme të theksoj se media, shoqëria civile, akademia dhe të gjithë aktorët që operojnë në këtë fushë, luajnë një rol thelbësor në promovimin e transparencës nëpërmjet përpjekjeve të tyre të vazhdueshme", theksoi Dervishi.
Konferenca organizohet nga Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale të Shqipërisë dhe synon nxitjen e kulturës së transparencës dhe përgjegjshmërisë së autoriteteve publike.
Sipas organizatorit, tema qendrore e konferencës është "Fuqizimi i individëve nëpërmjet aksesit në informacion, sigurimi i transparencës dhe gjithëpërfshirës në një botë të ndërlidhur".
Në konferencën treditore marrin pjesë dhjetëra delegacione nga shtete dhe organizata ndërkombëtare./aa