Sapo dëgjojmë “frikë nga refuzimi” në shumë raste na shkon ndërmend aspekti romantik…të pasurit frikë se do refuzohemi nga një partner/e.
Por ky grupim fjalësh ka shumë e më shumë kuptim tejkaluar jetës së romancës.
Frika e të qenurit i/e refuzuar krijon ndjesinë se mund të mos jemi të pëlqyeshëm nga të tjerët. Gjithashtu kjo ndjesi krijon bindjen se ne jemi kollaj për t’u braktisur.
Sipas eksperteve njerëzit që vuajnë nga kjo frikë kanë një vetëbesim më të ulët, janë më të turpshëm e ndihen më shumë në faj. Gjithashtu shpenzojnë shumë kohë nga dita e tyre duke imagjinuar se si mendojnë të tjerët për ‘ta.
Fillimisht duhet të dallojmë se cilat janë shenjat e të qenurit i frikësuar nga refuzimi.
Shenjat më të shpeshta sipas psikologëve janë:
- Vendosja e nevojave dhe e dëshirave të të tjerëve para atyre personale
- Marrja e shumë përgjegjësive për të qenë sa më të pranueshëm në shoqëri
- Vështirësia për të thënë jo, e pse kundër dëshirës
- Fshehja e mendimeve, komenteve dhe ndjesive të vërteta nga të tjerët
- Durimi i keqtrajtimit nga të tjerët, me frikën se do braktisen
- Frika e të dështuarit
- Perfeksionimi
- Varësia ndaj diçkaje të caktuar, p.sh. të qenurit sa më aktiv në rrjete sociale për orare shumë të gjata, për të qenë sa më pranë të tjerëve.
Por çfarë e shkakton frikën e refuzimit?
Siç u shpjegua e më sipër, njerëzit që kanë një vetbesim më të vogël apo përfshihen shpesh në bisedime e mendime negative për veten kanë tendencë të lartë për të krijuar frikë nga të qenurit të refuzuar.
Sipas psikologëve, kjo frikë shpesh buron nga një nevojë e rrënjosur thellë për pranim dhe përkatësi shoqërore. Kjo frikë përkeqësohet nga përvojat e kaluara të refuzimit, qoftë në fëmijëri, adoleshencë apo në jetën e të rriturit.
Po kështu, nevoja e krijuar nga shoqëria për të qenë sa më perfekt e më të suksesshëm ka arritur të thellojë këtë ndjenjë të frikës së refuzimit.
Ekspertët shprehen se dhe shqetësime të ndryshme të shëndetit mendor si ankthi social, OCD, PTSD mund të krijojnë frikë nga refuzimi.
Pasojat që na sjell frika nga refuzimi
Të pasurit këtë ndjesi mund të na bëjë të vendosim pritshmëri joreale tek të tjerët, duke lënduar kështu më shumë veten.
Zakonisht njerëzit që nuk e pranojnë dot refuzimin, mund të bëhen më të ngjitur në përpjekje për të shmangur “hedhjen poshtë” nga personi tjetër.
Gjithashtu vihet re se personat që përjetojnë këtë frikë, kërkojnë më shumë siguri në mënyrë të vazhdueshme, për të qetësuar mendjen se janë të pranishëm e nuk janë mohuar nga të tjerët.
Psikologët shprehen se këta persona krahasojnë veten negativisht për të tjerët e gjithashtu mund të bëhen xhelozë apo dyshues, duke lëkundur kështu marrëdhëniet e besimit mes raporteve të krijuara shoqërore apo romantike.
Këshilla si mund ta tejkaloni
Përtej klishesë se duhet të dashuroni veten ( gjë që patjetër duhet bërë), ekspertët sugjerojnë se duhet të njihni veten e rrënjët tuaj.
Përkatësisht bëhet fjalë që të analizoni veprimet tuaj të përditshme dhe raportet e krijuara me të tjerët.
Duhet të kuptoni arsyen përse keni zhvilluar frikën e refuzimit, për shkak të eksperiencave të së kaluarës apo se kështu ju është mësuar nga shoqëria, impenjimi për të qenë gjithmonë të suksesshëm e të pranishëm?
Në raste të caktuara, ndihma e një psikologu nuk mund të refuzohet asnjëherë!/GazetaShqiptare