Presidenti Bajram Begaj ka nisur një vizitë dyditore në Kosovë ku sot ka bërë homazhe në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve në Gllogjan. Ndërsa, komuna e Deçanit ka nderuar me titullin “Qytetar nderi i Deçanit”.

Presidenti Bajram Begaj vlerësoi gjithë sakrificën dhe gjakun e derdhur të dëshmorëve për lirinë e Kosovës. Ai shtoi se liria duhet të mbrohet me çdo kusht.

“Është kënaqësi të jem këtu në Deçan, në këtë vend të shenjt për të vazhduar festimet tona për 25-vjetorin e Çlirimit të Kosovës. Jemi këtu për të vlerësuar gjithë sakrificën, gjithë gjakun e derdhur për të arritur në këtë ditë të lirisë që është e jashtëzakonshme për ne dhe për shqiptarët. Prandaj, duhet ta mbrojmë me çdo kusht”, theksoi ai.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, duke i uruar mirëseardhje presidentit Begaj, ka theksuar se në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve në Gllogjan “pushojnë heronj të zotë, të cilat kontribuan për çlirimin e vendit”.

“Në ditët më të bukura tona, presidenti i Shqipërisë me zonjën e parë, Shkëlqesia e tij, gjeneral Bajram Begaj ka vizituar Gllogjanin, Deçanin edhe një herë, pra Kosovën. Jam i nderuar të qëndroj para jush president Begaj në këtë vend këtu ku qëndrojnë e pushojnë luftëtarë të zot, shqiptarë të zot, heronj të mirë. Jam i bindur që ata janë të gëzuar që ne sot jemi bashkë”, theksoi ai.

Pas kësaj vizite, Begaj është shpallur “Qytetar Nderi” i komunës së Deçanit.

Pas pranimit të këtij çmimi, Begaj u shpreh i vlerësuar dhe i privilegjuar për marrjen e titullit “Qytetar Nderi” nga Komuna e Deçanit.

Ai tha se ky titull do ta nxisë që të vazhdojë të punojë akoma më shumë për të bërë që Kosova të bëhet pjesë e organizatave ndërkombëtare.

Begaj shtoi se Deçani është një trevë ku janë shkrepur pushkët e para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe vendi ku kanë lindur njerëz të besës e legjenda të vërteta të atdhedashurisë.

“Kam ardhur tek Bjeshkët e Nemuna një vend të bekuar nga Zoti këto troje kanë një histori të pasur dhe të lashtë sa vetë bjeshkët ku traditat ndërthuren me legjendën dhe ku jeton i pastër shpirti i pa epur i shqiptarisë… Jam në një trevë ku kanë lindur burra e trima patriotë dhe njerëz të mençur e të besës, legjenda të vërteta të atdhedashurisë. Të parët tuaj ishin simbol i rezistencës ndaj pushtuesit… Deçani ka shkrepur pushët e para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës… Nga sot unë jam shumë i nderuar dhe i vlerësuar që me propozimin e asamblesë së Deçanit të jem qytetar nderi i kësaj krahine… e pranoj me shumë mirënjohje, është privilegj dhe vlerësim i jashtëzakonshëm për të marrë këtë titull. Natyrisht, që ky titull më nxit që të vazhdoj të punoj akoma më shumë për të bërë që Kosova të ketë vendin e merituar aty ku i takon, të jetë pjesë e organizatave ndërkombëtare”, tha Begaj./ata