Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, do të jetë i pranishëm përmes një videomesazhi në Samitin e Paqes që do të zhvillohet në Tiranë më 28-29 shkurt.

Lajmin e bëri të ditur Kryeministri Edi Rama nga Ankaraja, gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me Presidentin turk, Recep Tayyip Erdoğan.

“Kemi ndarë me Presidentin edhe opinionet për konfliktin në Ukrainë. E kam informuar që në ditët e ardhshme në Tiranë se bashku me presidentin Zelensky ne do të zhvillojmë një samit të vendeve të Europës Juglindore ku dhe Turqia është e ftuar dhe jam mirënjohës që pavarësisht agjendës së mbingarkuar dhe pamundësisë për të qenë fizikisht në Tiranë, Presidenti ka pranuar me shumë kënaqësi që ta adresojë samitin përmes një lidhjeje direkte nga zyra e tij me një mesazh”, tha Rama.

Samiti i Paqes në Tiranë do të mbahet më datë 28 shkurt. Tirana do të jetë mikpritëse e një samiti për Paqen me fokus luftën në Ukrainë, ndërsa i pranishëm do jetë edhe presidenti ukrainas, Zelensky./ata