Një fëmijë palestinez iu nënshtrua sot plagëve të shkaktuara nga të shtënat e ushtrisë izraelite pranë qytetit e Ramallahut në Bregun Perëndimor të pushtuar.

Në një deklaratë, Ministria palestineze e Shëndetësisë tha se “fëmija, Muhammad Murad Ahmad Hoshiya, 12 vjeç, iu nënshtrua plagëve kritike që mori rreth një javë më parë në Ramallah”.

Shoqëria Palestineze e Gjysmëhënës së Kuqe tha më 14 qershor se një ekuipazh i ambulancës transportoi në spital “një fëmijë 12-vjeçar të plagosur nga plumba të vërtetë në bark gjatë sulmit të ushtrisë pushtuese në kampin Al-Amari në Ramallah”, duke përshkruar gjendjen e tij si “kritike”.

Dëshmitarët okularë thanë për Anadolu se një forcë izraelite sulmoi qytetin Al-Bireh, bastisi kampin Al-Amari dhe lagjen Umm Al-Sharayet në jug të qytetit, duke rezultuar në shtatë persona të plagosur nga të shtënat me armë zjarri.

Ushtria izraelite ka kryer rregullisht bastisje në Bregun Perëndimor të pushtuar gjatë viteve të fundit, të cilat u përshkallëzuan me fillimin e luftës në Gaza tetorin e kaluar. Palestinezët janë përballur gjithashtu me sulme të dhunshme nga kolonët e paligjshëm.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, që nga 7 tetori i kaluar, të paktën 552 palestinezë janë vrarë, duke përfshirë 132 fëmijë, dhe gati 5.200 të tjerë të plagosur nga të shtënat e ushtrisë izraelite në territorin e pushtuar.

Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila në vendimin e saj të fundit urdhëroi Tel Avivin që të ndalojë menjëherë operacionin e tij ushtarak në Rafah në jug të Rripit Gazës, ku mbi një milion palestinezë kishin kërkuar strehim nga lufta përpara se të pushtohej më 6 maj./aa