Dy kandidatët më të moshuar ndonjëherë në garën për zgjedhjet presidenciale të Shteteve të Bashkuara, do të takohen ballë për ballë më 27 qershor, në një debat televiziv si asnjë tjetër.

Njëri akuzon rivalin e tij se përbën rrezik për demokracinë, tjetri e akuzon kundërshtarin se është i korruptuar.

Presidenti amerikan, Joe Biden, 81-vjeçar, dhe ish-presidenti amerikan, Donald Turmp, 78-vjeçar, janë në garë të ngushtë, sipas sondazheve të opinionit publik, kur u kanë mbetur më pak se pesë muaj deri te zgjedhjet e 5 nëntorit.

Shumë votues janë të pavendosur, dhe presin të shohin debatin që pritet të shikohet në shifra rekorde, më shumë për shkak të momenteve dramatike, sesa për shkak të diskutimeve të politikave të presidentit demokratik dhe konkurrentit të tij republikan.

Gatishmëria për të kryer funksionin

Të dy kandidatët mund të përballen me pyetjet nëse janë të gatshëm fizikisht dhe në aspektin mendor, për të kryer detyrën e presidentit.

 

Trump pretendon se Biden nuk ka aftësi as fizike dhe as mendore për kryer këtë mandat, derisa Biden e quan paraardhësin e tij, “të turbullt” dhe të rrezikshëm për normat demokratike.

Demokratët e përmendin shpesh rolin e Trumpit në sulmin ndaj Kongresit amerikan më 6 janar 2021, nga mbështetësit e tij, dhe përpjekjet tjera për të përmbysur rezultatin zgjedhor të vitit 2020, si dhe dënimin më 30 maj, kur një gjykatë e ka shpallur fajtor në 34 pika në rastin në të cilin Trump është akuzuar se e ka blerë heshtjen e një ylli të pornografisë para zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016.

Gjendja mendore dhe fizike e Bidenit është tema kyçe që e ka përcjell atë këtë kohë, dhe për të cilën është spekuluar në shumë fronte, teksa presidenti aktual kërkon një mandat të dytë.

Kritikët kanë thënë se ritmi i tij po ngadalësohet, duke marrë si shembull rrëzimet e tij të herëpashershme. Aleatët, në anën tjetër, pretendojnë se ai është në formën më të mirë.

Trump e ka tallur shpesh Bidenin nëpër marshet që ka organizuar, duke thënë se nuk është në gjendje të mbajë pozitën e presidentit.

Mosha e presidentit rrit dilemat edhe te shumë votues tjerë, përfshirë demokratët.

Trump nuk është përballur saktësisht me të njëjtat kritika, mirëpo ka habitur shumë përkrahës të tij, kur me raste i ka përzier emrat, apo kur e ka identifikuar gabimisht Bidenin me ish-presidentin amerikan, Barack Obama.

Testi i temperamentit

Të dy kandidatët njihen për gjakun e nxehtë, dhe për pak durim.

Ata njihen për zotërim të skenës, secili në mënyrën e vet. Të dy kanë qenë në krye të Shtëpisë së Bardhë.

“Ka shumë mëri në këtë mes”, ka thënë Tevi Troy, ish-zyrtar në administratën e George W.Bushit, i cili i ka ndihmuar presidentit republikan që të përgatitej në debatin e vitit 2004 kundër demokratit, John Kerry.

Biden e ka ndërprerë vazhdimisht Trumpin në debatin e parë ballë për ballë, më 2020, dhe si përfundim performanca e Trumpit është vlerësuar si e dobët.

Këtë herë, Trump mund të tentojë t’ia rrisë tensionin Bidenit duke ia përmendur betejat ligjore të të birit, Hunterit, i cili është dënuar nën akuzat se ka gënjyer për abuzimin me drogë dhe posedim të paligjshëm të armës.

Joe Biden është i trajnuar që t’i shmangë këto komente, mirëpo shikuesit do të jenë shumë të vëmendshëm për të vërejtur nëse do të ketë ndryshim disponimi.

Trump duhet të ketë kujdes, gjithashtu, që të mos ketë qasje ngacmuese dhe nënçmuese.

“Nuk mund të jetë agresiv në pikën që tingëllon i pasjellshëm”, ka thënë Brett O’Donnell, veteran republikan i debatave.

Si Biden, ashtu edhe Trump, mund të jenë të paparashikueshëm.

Trump ka refuzuar të marrë pjesë në debatet fillestare të republikanëve në garën për të fituar nominimin, mirëpo ai vendim nuk e ka dëmtuar aspak, pasi me lehtësi të konsiderueshme ka fituar në garën e partisë së tij.

Biden, po ashtu, nuk është ngjitur në skenën e debatit që pothuajse katër vjet.

Rreziku i dezinformimit

Trump njihet për përhapje të informacionit të pavërtetë dhe ekzagjerime, çka detyron shumë juristë të verifikojnë deklaratat që bën.

Biden, po ashtu, është njohur për disa deklarata në stilin e përrallave.

Troy beson se koha e limituar është një prej faktorëve që shtyn garuesit që të tentojnë të nxjerrin sa ma shumë nga vetja, në periudhë sa më të shkurtër.

Sipas tij, verifikimi i fakteve është punë për ndihmësit e fushatave dhe për organizatat mediale.

Narrativat që shtyjnë përpara

Biden pritet të ketë tendencë që të llogarisë në dënimin e Trumpit në Nju Jork.

O’Donnell ka thënë se kjo nuk është ide e mirë, pasi do të forconte narrativën e Trumpit që Bideni është përfshirë në akuzat kundër Trumpit, dhe që ky i fundit është viktimë e persekutimit.

Fushata e Bidenit ka shpenzuar në javët e fundit 50 milionë dollarë nëpër fushata reklamuese për të përhapur lajmin e dënimit të Trumpit.

Për Trumpin, rreziku qëndron në deklaratat që mund të bëjë ai, e që janë në linjë me argumentin e Bidenit se, ish-presidenti përbën kërcënim për normat demokratike.

Trump, shembull, ka sugjeruar që të angazhojë Departamentin amerikan të Drejtësisë për t’i shënjestruar armiqtë politikë.

“Trump duhet të ketë qasje presidenciale”, ka thënë Aaron Kall, ekspert i Universitetit të Miçiganit, për debatet presidenciale.

Trump do të ketë edhe tendencë që të ankohet, siç ndodh shpesh në rrjetet sociale, se ka grupe që punojnë kundër tij, dhe duke e prezantuar veten si viktimë të komplotit politik.

Mirëpo votuesve të pavendosur nuk ju interesojnë këto gjëra, ka thënë O’Donnell.

“Njerëzit nuk janë të interesuar në problemet e kandidatit, ata janë të interesuar për problemet e veta”.

Eksprtët politikë kanë thënë se kandidatët duhet të diskutojnë për çështje që lidhen me kushte të jetesës – sikurse çmimet e pemëve dhe perimeve – për të treguar që janë afër votuesve.

Biden ka disa muaj që tenton të adresojë aspektin ekonomik, mirëpo sondazhet tregojnë se votuesit i besojnë pak më tepër Trumpit kur është fjala për menaxhim të ekonomisë.

Brad Bannon, demokrat, ka thënë se Biden duhet të pranojë që disa votues janë ende në pozitë të vështirë.

“Ai duhet t’i rrisë përpjekjet dhe të pranojë që disa konsumatorë ende kanë probleme me çmimet e larta të gazit dhe produkteve ushqimore”, ka thënë Bannon.

Ai ka thënë se Biden tregon mjaftueshëm empati. “Por, ai duhet të bëjë më shumë”.

Debate pa audiencë

Në sallën e debatit nuk do të ketë audiencë. Kjo gjë mund të jetë problematike për të dy kandidatët, mirëpo sidomos për Trumpin, i cili merr zemër prej turmave që bërtasin.

Kandidatët mund të kenë ndjesinë si të jenë të humbur, pasi nuk do të dinë në kohë reale se si po reagon audienca, ka thënë Kall.

Mirëpo, fakti që nuk do të kenë mbështetës afër, ndoshta edhe do t’i bëjë ata që të fokusohen më shumë në përmbajtje dhe më pak në kritikë.

Një tjetër rrezik për Trumpin: CNN ka thënë se mikrofoni i një kandidati do të ndalet, për të parandaluar pengesat derisa flet tjetri.

Trump ka mundësi që edhe të ngre zërin, pavarësisht mikrofonit të ndalur.

Si ish-yll i emisioneve televizive, Trump ka përvojë të gjatë nëpër studio, derisa Biden është i mësuar të mbajë fjalime prej Shtëpisë së Bardhë, pa audiencë.

CNN ka thënë se Trump do të jetë i fundit që do të deklarohet në debat.

Në hedhjen e monedhës, ekipi i Bidenit ka fituar në përcaktim të vendit dhe e ka vendosur presidentin aktual në anën e djathtë të ekranit të shikuesve.

Fushata e Trumpit, më pas, ka kërkuar që ai të ketë fjalën e fundit në debat.

Kandidati i pavarur Robert F. Kennedy Jr. nuk ka arritur të marrë pjesë në debat pasi nuk i ka përmbushur me kohë kriteret e CNN-it.

CNN ka thënë se vetëm Biden dhe Trump i kanë plotësuar kriteret në afat.

Në mesin e kushteve ka qenë që kandidatët të kenë të paktën 15 për qind mbështetje në katër sondazhe politike në nivel kombëtar./REL