Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja priti në një takim pune ambasadoren e Francës në vendin tonë, Catherine Suard, shefin e Sektorit Rajonal Ekonomik për Ballkanin Perëndimor në Ambasadën franceze, Pierre Grandjouan dhe këshilltarin ekonomik të Ambasadës franceze, Thomas Menoret.

Gonxhja tha se gjatë takimit, diskutuan mbi marrëveshjen G2G dhe bashkëpunimet bilaterale, konkretisht për sektorët dhe programet që Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit duhet të angazhojë dhe grupet teknike të punës.

Marrëveshja qeveritare G2G ka si synim forcimin e lidhjeve ndërmjet dy shteteve dhe zbatimin e projekteve strategjike për zhvillim profesionial dhe teknologjik duke kontribuar në mirëpërgatitjen e Shqipërisë, si treg dhe si realitet ekonomik, për anëtarësimin në BE.

Ministri bëri të ditur se, bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve ndër të tjera ka në fokus shërbimet publike, investimet, modernizimin e infrastrukturës, asistencën për zhvillimin e ekosistemit të inovacionit, qeverisjes elektronike, sigurisë kibernetike, si dhe optimizimin e burimeve njerëzore për të arritur standardet e Bashkimit Evropian.

“Kjo marrëveshje mbështet sjelljen e të gjithë kontributit të Francës në Shqipëri, me tërë kapacitetin dhe mundësitë, që ky shtet ka dhe ofron, për të nxitur zhvillimin ekonomik të vendit paralel me integrimin e tonë në Bashkimin Evropian”, u shpreh Gonxhja./ata