Në Tiranë po mbahet sot konferenca rajonale “Balkonomics” ku marrin pjesë 28 liderë dhe ekspertë ndërkombëtarë nga SHBA, Bashkimi Europian dhe vendet e rajonit, për të diskutuar zgjidhjet që çlirojnë rritjen ekonomike dhe afrojnë procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE.

Duke marrë fjalën në këtë takim, David Wisner, I ngarkuari me Punë i Ambasadës amerikane në Tiranë, u shpreh i kënaqur në lidhje me punën e bërë nga Dhoma Amerikane e Tregtisë, ndërsa shtoi se puna e vërtetë duhet të bëhet nga vetë vendet e rajonit.

“Entuziast për punën që po bën Dhoma Amerikane e Tregtisë. Si amerikanë besojmë fuqimisht në fuqinë e sektorit privat. Është privilegj që të mblidhemi, të nxisim e të shtyjmë para, por jeni ju që do të bëni punën për të parë zhvillim dhe për të ecur para në anëtarësimin në BE”, tha ai.

Wisner vuri në dukje se, gjithashtu angazhim dhe punë e madhe po bëhet edhe me të rinjtë.

“Shtylla kryesore për të cilën po flasim sot ka të bëjë me anën ekonomike dhe jemi tejet të kënaqur që USAID po mbështet këtë takim, ku ka një pëlqim të ndërsjellë nga të gjithë palët në drejtim të rritjes ekonomike të Ballkanit”, vuri në dukje Wisner.

Ai deklaroi se, kompanitë amerikane kanë parë disa perspektiva interesante gjatë zhvillimeve në vitet e fundit dhe u shpreh entuziast për punën që po bën Dhoma Amerikane e Tregtisë për të krijuar këtë partneritet të qëndrueshëm të cilat janë vendimtare.

Wisner shprehu besimin në fuqinë e sektorit privat për të çuar përpara ekonominë./ata