Në kuadër të masave për mbarëvajtjen e sezonit turistik, Bashkia e Durrësit njofton të gjithë qytetarët se bulevardi “Epidamn” do të kthehet në një hapësirë pedonale nga data 29 qershor deri më 15 shtator, prej orës 19:00 deri në 23:00, me qëllim lehtësimin e lëvizjes së qytetarëve dhe vizitorëve të shumtë që vijnë për të kaluar pushimet.

Bashkia e Durrësit sqaron se ky vendim vjen duke patur parasysh që vitin e kaluar kjo nismë u mirëprit nga qytetarët dhe bizneset.

“Këtë vit është menduar të zgjatet më shumë afati kohor i ndalimit të mjeteve për të reduktuar trafikun dhe krijuar hapësira për këmbësorët. Për këtë qëllim njoftojmë se: Ndalohet qarkullimi dhe parkimi i automjeteve në bulevardin “Epidamn” (segmenti nga Prefektura deri tek Torra Veneciane) nga data 29.06.2024 deri më 15.09.2024, prej orës 19:00 deri në 23:00.

Për t’i ardhur në ndihmë fluksit të automjeteve, do të bëhen ndryshimet e mëposhtme në akset rrugore: Rruga “Karl Topia” dhe rruga “Gjergj Komnino” do të kenë një sens lëvizjeje (ngjitja drejt Vilës së Zogut). Rruga “Telha Çela” dhe rruga “11 Dëshmorët e Stanit” do të kenë një sens lëvizjeje (zbritja në drejtim të Muzeut të Dëshmorëve)”, njofton Bashkia e Durrësit.

Po ashtu, do ndalohet parkimi i automjeteve përgjatë orarit 19:00-23:00 nga data 29.06.2024 deri më 15.09.2024 në: Rruga “Anastas Durrsaku” (segmenti nga Kisha Ortodokse – Shkolla Gjergj Kastrioti). Rruga “Hysen Matlija” dhe rruga “Mbretëresha Teuta” (Shkolla Italiane), ndalim parkimi nga një krah lëvizjeje. Rruga “Karl Topia” dhe rruga “Gjergj Komnino”, ndalim parkimi nga një krah lëvizjeje. Ndalohet parkimi i automjeteve gjatë gjithë ditës në: Rruga “Taulantia” në njërin krah të rrugës (segmenti nga karburanti “Kastrati” deri te kryqëzimi i shkollës Italiane) nga data 29.06.2024 deri më 15.09.2024″, vijon njoftimi.

Bashkia e Durrësit shpreson në mirëkuptimin e drejtuesve të mjeteve, teksa i bën ftesë të gjithë qytetarëve të lënë makinat dhe të shijojnë shëtitjet në këmbë në bulevardin kryesor të Durrësit gjatë këtyre mbrëmjeve verore./ata