Më shumë se 31 mijë të huaj kanë hyrë mesatarisht çdo ditë në Shqipëri përgjatë muajit të kaluar. Shifrat e INSTAT tregojnë se në maj në vend kanë hyrë 973,688 të huaj ose 38,1% më shumë krahasuar me vjet. Po me të njëjtin ritëm po udhëtojnë edhe shqiptarët, pasi mbi 662 mijë rezidentë kanë dalë jashtë vendit në muajin që kemi lënë pas, tendencë në rritje e ndikuar edhe prej biletave të lira.

Këto shifra, që dëshmojnë për një rekord të ri turistik, po ‘fundosin’ valutat në vend, e kryesisht euron dhe dollarit për shkak të flukseve valutore që po hyjnë në vend. Turistët e huaj vetëm në tremujorin e parë sollën afro 788 milionë euro, shifër që pritet të jetë më e lartë për tremujorin e dytë të vitit.

Shtimi i sasisë së euros në treg ka bërë që ajo të prekë vlerën më të ulët të këmbimit në maj me 100 lekë kur shitej nga zyrat e këmbimit dhe 99 lekë kur i blihej qytetarëve. Aktualisht euro po këmbehet me 100.2 lekë, kurse dollari ka zbritur në 93 lekë.

o ashtu bumi turistik me 3.3 milionë të huaj në 5 muaj ka shtuar edhe nevojën për mallra, duke rritur peshën e importit. Sipas të dhënave të INSTAT nga muaji janar deri në fund të majit, janë blerë nga jashtë ushqime me vlerë 594 milionë euro nga 551 milionë euro në 5-mujorin e parë të 2023-shit. Vetëm vlera e zarzavateve të importuara në këtë periudhë përllogaritet në 23 milionë euro shifra më e lartë e regjistruar ndonjëherë.

Edhe sipas të dhënave të Doganës, në 5 mujorin e parë të vitit është rritur me 220 tonë importi i birrës, me 150 tonë janë shtuar importet e kafes si dhe u blenë 47 tonë cigare më shumë se vjet.

IMPORTI I USHQIMEVE E PIJEVE

Janar-Maj 2023           551,961,227 euro

Janar-Maj 2024           594,484,391 euro

Rritja                          +42,523,164 euro

/Shqiptarja