Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja gjatë vizitës në Hungari vizitoi EXIM Hungary, agjencinë zyrtare të kreditimit të eksportit.
Kjo agjenci është e specializuar në tregtinë ndërkombëtare, zgjerimin e tregut të huaj dhe mbështetjen e investimeve të huaja, me kapital shtetëror (e përbërë nga EXIM Bank (Financuese shtetërore projektesh) dhe MEHIB (Kompania shtetërore e Sigurimit të Kredive për Eksportin).
Në një postim në rrjetet sociale ministri Gonxhja tha se “në këtë institucion, me një përvojë të pasur prej më shumë se 30 vitesh, zbuluam një qëndrim të përkushtuar ndaj mbështetjes së bizneseve hungareze dhe të përkushtimit ndaj inovacionit dhe zhvillimit të qëndrueshëm”.
“Me shërbime të specializuara në financim dhe sigurim të kredisë, si dhe fonde të investimeve, EXIM Hungary ka shërbyer si një motor financiar për suksesin e eksportuesve hungarezë”, tha Gonxhja.
Gonxhja u shpreh se “takimi i shërben mbledhjes së njohurive për aplikimin e praktikave të tilla në Shqipëri, si dhe afron institucionet tona drejt sinergjive të fuqishme në ndihmë të rritjes së investimeve dhe bashkëpunimit ekonomik midis dy vendeve”.
Gonxhja zhvilloi edhe vizitë në GFÜ – Agjencinë Hungareze për Zhvillimin Ekonomik, të cilin e cilësoi një takim me interes dypalësh për të shkëmbyer përvojë e ide mbi organizimin dhe punën për nxitjen e sipërmarrjes dhe mentorimin për përgjegjësinë sociale dhe parimet e ESG.
“Një bashkëbisedim interesant për të mësuar më shumë mbi projektet dhe iniciativat që ndihmojnë në modernizimin e teknologjisë së industrisë, inovacionin dhe rritjen e konkurrueshmërisë së bizneseve, mbi incentivat për zhvillimin e furnizuesve, forcimin e sektorit privat dhe përmirësimin e ecurisë së sipërmarrjeve kundrejt risqeve”, u shpreh Gonxhja.
Më herët, ministri Gonxhja u takua me ministrin e Ekonomisë Kombëtare të Hungarisë, Márton Nagy, si dhe me përfaqësues të Bankës Hungareze të Zhvillimit (MFB), bankë kjo me kapital shtetëror./ata