Skuadrat që triumfojnë në turnetë ndërkombëtare të futbollit, nuk janë gjithmonë më të talentuarat. Për të ngritur në fund një kupë, ato duhet të kombinojnë talentin e lojtarëve që kanë në dispozicion me aftësinë për të përballuar peshën e pritshmërisë së madhe nga ana e tifozëve të tyre.

Dhe për skuadrat që mendohet se përmbajnë një “brez të artë” lojtarësh të talentuar, presioni mund të bëhet i papërballueshëm. Marrim për shembullin rastin e Belgjikës. Për një dekadë të tërë, lojtarët belgë janë detyruar të luajnë nën etiketën e “gjeneratës së artë”.

Të bekuar me një grup të jashtëzakonshëm lojtarësh, që u rritën në të njëjtën kohë, ata u vlerësuan në vitin 2015 si kombëtarja më e mirë në botë, edhe pse e një vendi me një popullsi prej më pak se 12 milionë banorësh. Dhe e mbajtën pa ndërprerje këtë aureolë deri në vitin 2021.

Yjet e kombëtares belge, duke përfshirë Eden Hazard, Vinsent Kompani, Kevin De Brune, Romelu Lukaku dhe Tibo Kurtua, mbështeteshin nga shokët e tjerë të skuadrës, të cilët luanin për klubet më elitare nga të gjitha ligat e futbollit evropian.

Por megjithëse futbollistët e “brezit të artë” të Belgjikës iu afruan fitimit të Kupës së Botës në vitin 2018 që u mbajt në Rusi, duke humbur në gjysmëfinale, ndaj tyre pati sërish një ndjenjë zhgënjimi, e cila vetëm sa u rrit me kalimin e kohës. Sepse Belgjika u eliminua që në çerekfinalet e Kampionatit Evropian të vitit 2020 (që u mbajt një vit më vonë për shkak të pandemisë së Covid-19) dhe nuk arriti as të kalonte fazën e grupeve në Botërorin e Katarit i mbajtur në nëntor-dhjetor  2022.

Lojtarët jashtëzakonisht të talentuar ishin ende aty, por shanset e mëdha dukej se kishin ardhur dhe ikur tashmë.

Dhe në kampionatin evropian aktual, Euro 2024, të mbijetuarit e atij brezi e humbën ndeshjen e tyre hapëse ndaj Sllovakisë.

Mbrëmjen e të shtunës, arritën të kthehen në garë falë triumfit kundër Rumanisë. Por fitorja nuk ishte e lehtë, dhe deri 10 minuta para fundit ndeshja ishte e hapur. Pas disa ditësh, belgët do të përballen me ekipin ukrainas, edhe ai i supozuar si pjesë e “gjeneratës së artë” në vendin e tij, por që e humbi ndeshjen e parë 3-0 përballë rumunëve, për t’u kthyer në valle ndeshjen e dytë falë fitores me përmbysje 1-2 me Sllovakinë.

Por tani problemi është se këta lojtarë janë plakur të gjithë së bashku, duke kaluar nga “brezi i artë” tek “pleqtë e artë”. 11 nga 32 skuadrat që morën pjesë në Botërorin e Katarit dy vite më parë, kishin një mesatare moshore 30 vjeç ose më shumë. Eden Hazard, tashmë i tërhequr nga futbolli, e pa turneun e 2018-ës si mundësinë që u humb nga Belgjika.

I pyetur nëse Belgjika do të fitonte më në fund një trofe në Botërorin e 2022-shit, De Brune, lojtar i Manchester City-t, u përgjigj shkurt: “Nuk ka asnjë shans. Ne jemi një skuadër shumë e moshuar!”. Dy vjet më vonë, megjithëse e freskuar me disa lojtarë të rinj, Belgjika është ende e varur nga aftësitë e De Brune dhe të Lukakut për t’i mbajtur në garë.

Pavarësisht nga numri i madh i lojtarëve të rinj të talentuar, është i vështirë ndarja nga “brezi i artë” i disa viteve më parë. Një nga përdorimet e para të njohura të termit “gjeneratë e artë” në futboll, ishte për kampionët e botës U-20 të Portugalisë, në fundin e viteve 1980 dhe fillimin e viteve 1990. Por kjo frazë nisi të ketë më shumë domethënie dhe popullaritet, kur pak më vonë kombëtarja përbëhej nga një grup lojtarësh shumë ta talentuar, mes të cilëve Rui Kosta, Luis Figo dhe një Kristiano Ronaldo ende shumë i ri.

Ashtu si belgët, edhe ata shkëlqyen shumë për disa vite: u mposhtën vetëm në finalen e “Euro 2004” (të zhvilluar po në Portugali); ishin gjysmëfinalistë në Kupën e Botës 2006 zhvilluar në Gjermani dy vjet më vonë. Por ashtu si me Belgjikën, nisi të krijohej përshtypja se ky grup lojtarësh nuk po e kuptonte plotësisht potencialin që zotëronte, edhe pse shpresat tek ata ishin shumë të mëdha.

Ironikisht ishte një skuadër me më pak emra të mëdhenj (edhe pse në përbërje ishte Kristiano Ronaldo), ajo që ngriti trofeun në “Euro 2016” të zhvilluar në Francë. Megjithatë, asnjë ekip me një “brez të artë” lojtarësh nuk e ka vënë aq shumë në diskutim këtë koncept sa Anglia.

Skuadra që mori pjesë në Botërorin e 2006-ës në Gjermani, kishte në përbërje disa nga lojtarët më të famshëm në botë për kohën si Uejn Runi, Dejvid Bekam, Frenk Lampard, Stiven Xherrard, Rio Ferdinand dhe Xhon Teri. Por pasi dominuan në fazën e grupeve, ata u eliminuan në çerekfinale nga një brez tjetër i artë futbollistësh, portugezët.

Dy vite më vonë, Anglia nuk arriti as të kualifikohej në finalet e Kampionatit Evropian. Ndërkohë duke folur në prag të Kupës së Botës 2014 që u mbajt në Brazil, Ferdinand reflektoi se për të cilësuarit si brezi i artë “u rritën më shumë se ç’duhej pritshmëritë e tifozëve”.

“Njerëzit prisnin që ne të ngrinim kupën…Unë mendoj se ne mbetëm peng i asaj pritshmërie”-tha ai. Në vitin 2017, Pep Guardiola, i konsideruar gjerësisht si trajneri më i mirë në botë, tha se nuk e kuptonte dot sesi një ekip kombëtar që kishte në përbërje lojtarë si “Lampard, Kerik, Skols, Xherrard, Terri, Ferdinand nuk ishin në gjendje të bënin diçka më shumë”.

Anglia mund të jetë sërish e rrezikuar të dështojë në shndërrimin e talenteve që ka në dispozicion, në një sukses në fund të këtij turneu. Trajneri i skuadrës, Garet Sauthgejt, i është afruar dy herë triumfit, duke humbur në gjysmëfinalen e Kupës së Botës në vitin 2018, dhe duke dështuar vetëm në ruletën e penalltive në finalen e “Euro 2020” në Uemblin mitik.

Por në Botërorin e 2022-shit, Anglia u skualifikua që në çerekfinale nga Franca. Edhe një herë po flitet për një “brez të ri të artë”, të përbërë nga talente shumë të rinj në moshë, si për shembull Xhud Belingam, 20-vjeç, që sapo fitoi Ligën e Kampioneve me Realin e Madridit, apo Fil Foden, 24-vjeç, i shpallur si lojtari më i mirë i sezonit në Premier League-n angleze sezonin që sapo u mbyll.

Anglia duket e sigurt se do të arrijë në fazën me eleminim direkt të këtij evropiani, por pas një fitoreje të mundimshme ndaj Serbisë, dhe një barazimi aspak mbresëlënës me Danimarkën, shkëlqimi në dukje i “gjeneratës së fundit të artë”, mund të rezultojë në fund të jetë sërish mashtrues./TeSheshi