Një prift nga Dhërmiu erdhi këtë herë në seancën ndaj Fredi Belerit në Apelin e Posaçëm, por gjykata nuk ndryshoi vendimin e mëparshëm të GJKKO duke e lënë Belerin në 2 vjet burg për blerjen e votave në Himarë në zgjedhjet e 14 majit 2023.

Apeli la në 3 vjet shërbim prove edhe bashkëpunëtorin e tij Pandeli Kokaveshin masë e zbutur për të pasi ai ka probleme shëndetësore, si dhe një fëmijë të mitur me probleme shëndetësore. Vendimi u dha nga 3 gjyqtarët Daniela Shirka, Dhimitër Lara dhe Ilirjana Olldashi të cilët rrëzuan edhe kërkesën e avokatëve të Belerit për përjashtimin e Daniela Shirkës. Në seancë pati interes të lartë nga mediat greke ku ishte edhe ambasadorja greke e cila foli pas vendimit.

'Për fat të keq shumë aspekte të kësaj çështje ngrenë pikëpyetje, sa i përket objektivitetit të procesit, siç është çështja e shkeljes së prezumimit të pafajësisë, paraburgimi i zgjatur, dënimi jo proporcional dhe moslejimi i të drejtës së betimit. Beleri tashmë zyrtarisht është anëtar i zgjedhur i Parlamentit Evropian. Është një kërkesë plotësisht demokratike që eurodeputetët të kenë mundësinë të paraqitet personalisht  në të gjitha punimet e PE duke filluar që nga korriku.’- tha Kostantina Kamitsi ambasadorja e Greqisë në Tiranë.

Jashtë sallës së seancës kundër Belerit pati protesta nga komuniteti çam. Në seancën e parë që u mbajt në Apel, Beleri kërkoi pafajësi duke pretenduar se u arrestua padrejtësisht dhe me urdhër politik të kryeministrit Edi Rama. Sipas tij, provat janë të manipuluara. Beleri garonte nën siglën e koalicionit “Bashkë Fitojmë” të Berisha-Meta kur u arrestua dy ditë para zgjedhjeve lokale të 14 majit, i kapur në flagrancë duke blerë 8 vota për 40 mijë lekë.

Arrestimi erdhi pas denoncimit në prokurori nga bashkëpunëtori i drejtësisë i cili kishte treguar se i ishin ofruar para në këmbim të votave. Më 10 qershor Fredi Beleri, eshte zgjedhur eurodeputet ne Greqi, ku mori 237 mijë vota dhe ishte eurodeputeti i katërt më i votuar në shtetin helen, ndërsa po i katërti rezulton edhe në listën e 7 deputetëve të dalë nga lista e partisë së kryeministrit Mitsotakis, Demokracia e Re./Shqiptarja