“Sfida jonë është të përgatisim bashkitë për të zbatuar reformat e Bashkimit Europian dhe t’i kthejmë ato në agjentë ekonomikë të territorit të tyre duke krijuar më shumë investime dhe të ardhura dhe për rjedhojë më shumë punësim”.

Kështu deklaroi sot, ministri i Shteti për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku në takimin e organizuar në Tiranë, në përmbyllje të projektit STAR3, që kontribuojë në realizimin e reformës administrative-territoriale të vitit 2014.

Mazniku tha se, me STAR 3, përmbyllet një dekadë e mbështetjes që partnerët tanë PNUD, USAID, BE dhe miqtë tanë zviceranë dhe suedezë dhe gjithë organizatat e tjera ndërkombëtare dhe vendase dhanë për reformën administrative-territoriale të vitit 2014.

Ministri shprehu mirënjohje për të gjithë ata që mbështetën dhe punuan për këtë vizion duke ndërmarrë hapin e rëndësishëm që nga 373 njësi vendore të vështira për t’u menaxhuar, t’i bënin në 61 ku suksesi është i dukshëm.

Mazniku në fjalën e tij, falënderoi ministrat e kohës së Pushtetit Vendor Bledi Çuçi, dhe Eduart Shalsi si ministër i Sipërmarrjes, teksa theksoi se sfida vijon për reformimin e bashkive sipas modelit europian.

“Kemi nisur trajnimin e stafeve të bashkive për të thithur sa më shumë fonde europiane, dhe t’i mbështesim me rritjen e pagave për të siguruar shërbim sa më cilësor për qytetarët tanë”, tha Mazniku./ata