Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, është paraqitur të mërkurën në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

 

Sipas News 24, Meta është thirrur për të dëshmuar për hetimin e dosjes CEZ-DIA. Në prill të këtij viti, SPAK ka vendosur të rihapë dosjen CEZ-DIA. Për këtë çështje Kastriot Ismailaj rezulton i dënuar me 11 vite burg.

 

Rihapja e hetimit erdhi pas një kallëzimi në SPAK nga Partia Socialiste.

 

Çështja i ka fillesat në vitin 2009, kur OSSH shiti 75% të aksioneve tek CEZ-DIA, gjatë qeverisjes së kreut të PD Sali Berisha, ndërsa në vitin 2013, kur socialistët morën pushtetin, u bë ndërprerja e kontratës pasi u cilësua abuzive.

 

Prishja e kësaj marrëveshje, u bë me argumentin se CEZ nuk kishte bërë asnjë prokurim për të importuar energji elektrike në vjeshtën e 2012, dhe në këto kushte e gjithë kërkesa për energji elektrike përballohej nga rezerva e kaskadës se Drinit.