Policia greke ka arrestuar Arbër Muçaj 17-vjeç për tentativë për vrasjen e një 18-vjeçari, disa ditë më parë në afërsi të Akropolit në Athinë.

 

 

Sipas policisë greke, Muçaj se bashku  17-vjeçarin grek Nikolas Kolias, i cili u arrestua pak pas ngjarjes, tentuan të grabisin nën kërcënimin e thikave, një grup të rinjsh që po rrinin në një stol pranë monumentit të lashtësisë helene, Akropolit.

 

Pasi i kanë grabitur telefonat dhe sendet me vlerë të rinjve, dy autoret tentuan të largohen, por një 18-vjeçar Jorgo Akrivo, tentoi t’i ndalojë.

 

 

Dy autoret u përballën me 18-vjeçarin dhe si rezultat e plagosën me thikë. Ai mori 4 thika në qafë dhe në bark dhe ndodhet në gjendje të rëndë në spital.

 

Sipas dëshmisë që Arbëri ka dhënë në polici, ai u shpreh se para se ta plagoste i ka kërkuar të riut një cigare. Kur 18-vjeçari u përgjigj negativisht, atëherë Arbëri i është vërsulur me thikë duke e goditur në qafë dhe bark, për ta grabitur.

 

“Ia kapa çantën, por ai më shtyu dhe më pas e godita dy herë me thikë, një herë në bark dhe një herë në qafë nëse më kujtohet mirë”, tha ai ftohtë, duke shtuar se pas skenës ka shkuar në shtëpi dhe ka vendosur rrobat me gjak në lavatriçe.

 

17-vjeçari shqiptar i ka marrë të riut grek çantën që kishte me vete, ku brenda saj kishte celularin, çelësat e makinës, kufje, çelësat e shtëpisë dhe portofolin me 81 euro brenda.

 

“E takova një ditë më parë dhe dolëm për shëtitje në Monastiraki. Ne pamë disa njerëz dhe vendosëm t’u merrnim celularët. Me pretekstin se doja një cigare, iu afrova dhe i kërkova një. Kur u afruam, mora njërën dhe nxora një thikë që kisha në xhepin e majtë të pantallonave, ia vura në bark dhe i thashë të më jepte celularin. Ia kapa çantën por ai më shtyu dhe më pas e godita dy herë me thikë, një herë në bark dhe një herë në qafë nëse më kujtohet mirë. Shoku im mori çantën dhe ne vrapuam. Ndërsa vraponim, më ra thikën. Në një moment u ndamë. Mora metronë dhe shkova në shtëpi. I hoqa rrobat dhe i futa në lavatriçe. Nga sa pashë, vetëm pantallonat e mia kishin gjak mbi to. Nuk i thashë asgjë askujt. Jam penduar për atë që kam bërë dhe kërkoj falje. Nuk doja ta godisja”, ka thënë Arbëri para policisë.