Deputetja e PD-së Jorida Tabaku ka reaguar mbi skandalin e spitalit së Onkologjikut pranë QSUT-së, ku është zbuluar se si mjekët përdornin skema mashtruese për të mos i ofruar shërbim pacientëve të sëmurë me kancer, duke i drejtuar tek privati.
Tabaku u shpreh se kjo që ka ndodhur është çnjerëzore dhe se si është bërë biznes me vdekjen.
Më skandaloze qëndron fakti se këtë skema mashtrimi, e njihte dhe e mbështeste dhe zëvendës drejtoresha e Onkologjikut.
“Është e pabesueshme se si mund të bëhet biznes me vdekjen dhe se kjo që ka ndodhur është çnjerëzore. Ndërkohë skandal akoma më i madh është fakti që në këtë skemë abuzive ishte e përfshirë edhe zv,drejtoresha e Onkologjikut. Një skemë e cila ishte ndërtuar nga mjekët, doktorët e punonjësit ndërkohë që në dijeni ka qenë edhe zv. drejtoresha kjo është skandaloze.
Dhe pacientët kanë qenë në faza të ndryshme të trajtimeve, mes tyre ka pasur dhe fëmijë. Ka edhe qytetarë të cilët nuk i përballojnë dot kostot as në spitalet shtetërore, e ata i orientonin drejt privatit. Është skandaloze.
Ajo që dua të them sot është se kur ne i përmendim dhe i denoncojmë këto abuzime na thonë se bëni politikë me sëmundjen, por sot rezultoi që denoncimet tona janë të vërteta dhe ajo që pamë ishte një skandal se si bëhej biznes me sëmundjen dhe vdekjen”, u shpreh deputetja e PD.
Ndër të tjera, në News 24, Tabaku u dal dhe në situatën aktuale në Partinë Demokratike, ku tha se është pjesë e saj dhe për këtë nuk ka asnjë dyshim.
Tabaku i ka bërë një apel të gjithë demokratëve që të bashkohen, pasi kjo është rruga e vetme që kjo parti ka, për ti paraqitur shqiptarëve një alternativë të unifikuar në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
“Unë jam në Partinë Demokratike, jam deputete e kësaj partie, jam zgjedhur në këtë parti, për mua nuk ka dyshime që jam në PD. Por në këtë përballjen e egër që ka ndodhur në opozitë, unë kam vendosur të mos përballem me veten, por me kundërshtarin.
Kam kërkuar dhe do kërkoj bashkimin e PD-së dhe do iu kërkoj gjithë kolegëve që betejën nuk e kemi me veten, por me kundërshtarin. Kur thoja një vit më parë se opozita nuk ka asnjë rrugë tjetër veç bashkimit, kam kërkuar me ngulm këtë bashkim edhe nga foltorja e Kuvendit, duket se po shkojmë drejt një bashkimi.
Secili nga ne duhet të kalojë mbi veten, të bashkohemi, PD është e detyruar që të japë një ofertë të unifikuar opozitare, duhet të kalojmë mbi egon individuale”, tha Tabaku./GazetaShqiptare