Me xhaketë bezhë, me syze dhe një shishe ujë në dorë ish ministri i Brendshëm Saimir Tahiri hyri në ambientet e Prokurorisë së Posaçme i shoqëruar nga avokati i tij Maks Haxhia.

Për herë të parë në një dalje publike prej marsit 2023,  ish-ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri u paraqit në SPAK, për tu përballur sërish me drejtësinë mbi një hetim që është hapur ndaj tij për verifikimin e pasurisë.

Qëndroi rreth 2 orë e gjysmë në SPAK, – nga ora 13:00 deri në 15:40 (24 qershor 2024) – ku ishte thirrur nga prokurori Elvin Goga në lidhje me një hetim pasuror të nisur ndaj tij prej disa muajsh. Pas daljes nga Prokuroria e Posaçme, Tahiri nuk foli për mediat, ndërsa pyetjeve të shumta të gazetarëve zgjodhi t’iu përgjigjet vetëm me “Nuk kam asgjë për të thënë”. 

Verifikohen transaksionet, pyeten biznesmenë

Burime i thanë Report Tv e Shqiptarja.com se Tahiri është thirrur për të dhënë sqarime si person ndaj të cilit kryhen hetime rreth pasurisë por jo vetëm. Po sipas burimeve më herët në kuadër të ketij hetimi SPAK, ka pyetur edhe disa biznesmenë me të cilet familjarët e ish ministrit Tahiri kanë patur transaksione financiare.

Prokurori i Posaçëm Elvin Goga prej muajsh heton Tahirin mbi pasurinë dhe burimin e krijimit të tyre, pas denoncime që kanë mbërritur në SPAK në lidhje me disa prona që janë blerë nga familjarët e tij. Procedimi në fjalë është regjistruar disa muaj më parë teksa hetuesit kanë nisur verifikimet duke vënë në sitë të gjitha pasuritë e luajtshme, të paluajtshme dhe llogaritë bankare të Tahirit dhe familjarëve të tij.

Prokuroria ka kërkuar informacion në bankat e nivelit të dytë, institucione e agjenci të pronave për të verifikuar pronat e llogaritë bankare të ish-ministrit të Brendshëm, dhe transaksionet që ai ka kryer që prej kohës kur ai mbante detyrën dhe deri më sot. Në kuadër të kësaj dosje hetimet janë zgjeruar edhe tek bashkëshortja e tij dhe tek vëllai i bashkëshortes, për të verifikuar burimin e të ardhurave dhe të pasurive në emër të tyre.

Tahiri i semure ne SPAK
Saimir Tahiri rezulton të jetë i sëmurë ndërsa sot la shtëpinë ku vijonte të kryente dënimin sipas vendimit të gjykatës së Elbasanit e cila kishte urdhëruar që ish ministri të vijonte dënimin e mbetur në banesë dhe mund të lëvizte vetëm për nevoja të domosdoshme familjare kur Shërbimi i Provës binte dakord”.

Saimir Tahiri  nga qelia ne shtepi
Më 4 shkurt të vitit 2022, Apeli i Gjykatës Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit pas një seance maratonë, denoi Tahirin me 5 vite burg për ‘Shpërdorim të detyrës’. Por me gjykim të shkurtuar dënimi u ul në 3 vite e 4 muaj burgim. Tahiri u shpall fajtor vetëm për “Shpërdorim detyre” duke i ‘shpëtuar’ akuzave “Korrupsion të zyrtarëve të lartë”, “Trafik të lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim” dhe “Grup të strukturuar kriminal”.

Ai qëndroi vetëm një vit e katër muaj në qeli,deri në 2 qershor 2023 kur Gjykata e Elbasanit mori vendimin që ish ministri dënimin e mbetur prej 1 vit e 8 muaj e 15 ditë ta kryente në banesën e tij. Vendimi per lirimin u mor nga gjyqtarja e Gjykatës së Elbasanit, Matilda Fetahu dhe shkak u bë një raport mjekësor që shkruante se bashkëshortja e ka të pamundur për shkak të gjendjes shëndetësore dhe se ish-zyrtari i lartë do të kujdeset për dy fëmijët e mitur.

Lirimi nxiti reagim nga opozita dhe Ambasada Amerikane në Tiranë. Ambasadorja Yuri Kim tha se ishte zhgënjyese që vijon privilegjimi në sistemin e drejtësisë dhe paralajmëroi pasoja për ata që ndihmojnë ‘miqtë e fuqishëm’.

Beteja e fundit ne Gjykaten e Larte
Beteja vijon në Gjykatën e Lartë, ku ish-ministri kërkon pafajësi, ndërsa Prokuroria kërkon që Tahiri të dënohet me 12 vite burg për favorizim të trafikut drogës drejt Italisë nga grupi i vëllezërve Habilaj, me të cilët ka lidhje farefisnore.

Kjo e sotmja (24 qershor) është hera e parë që Saimir Tahiri shfaqet në publik pas marsit 2023, kur Tahiri mori leje të dilte nga burgu per te marre pjese ne varrimin e babait te tij./Dita