Mundi i gjithë vitit është shuar për 20 minuta. Breshëri dëmtoi parcelat me pjepër dhe Nevruz Dilika nuk i mban dot lotët. Fermeri nga fshati Voskop i Korçës s’mund t’i përballojë shpenzimet ndaj kërkon ndihmë nga shteti:
“Jam fermer i vogël me këtë punë rroj. Kam 3 dynym pjepër, 90 për qind e ka dëmtuar. Kërkojmë ndihmë nga Qeveria. Ne kërkojmë nga shteti të vërë dorë. Duart i kam me kallo dhe rris fëmijët me këtë punë. Tani më ka shuar! Ka rrezik të mbetemi pa bukë! Shteti të vër një cike dorë mbi mua se për këtë Qeveri kam votuar”, tha ai.
Breshëri i pazakontë pasditen e së hënës ka dëmtuar rrushin, pemtoret dhe perime në gjithë zonën që njihet për prodhimtari të lartë.
“Më shumë se 20 minuta ra breshër, rrushin e hodhi poshtë të tërin, sallatë, domate, i zhveshi fare, s’la gjë! Ishte breshër sa një kokër arrë. Dëmet janë të mëdha, rreth 10 kuintal rrush. Nuk besoj se do na kompensojnë, asnjëherë s’kemi marrë asgjë”, tha një tjeter fermer.
Përgjëgjësi i sektorit të Bujqësisë thotë se Bashkia e Korces nuk ka fonde për të kompensuar fermeret e dëmtuar nga fatkeqësia natyrore.
“Kompensimi nga bashkia është i vështirë. Nëse Qeveria nuk shpall gjendjen e Emergjences është e pamundur të bëhet nga Bashkia. Ne aktualisht po bëjmë vlerësim e dëmit dhe do ta relatojmë tek Ministria e Bujqësisë dhe të shohim...”, tha Thanas Koroveshi.
Dëmet ende janë të pa llogritura në kosto financiare, por paraprakisht bëhet e ditur se janë 200 fermere që kanë humbur gjithë prodhimin bujqësor, me afro 110 hektarë në total në gjithë njësinë vendore Voskop të Korçës.
Një ditë më parë nga fatkeqësia natyrore u goditën dhe fermeret e Bashkisë së Kolonjës, duke humbur gjithë prodhimin bujqësor./Shqiptarja