Këshilli i Ministrave ka dërguar për miratim në Kuvend dy dokumenta “Planin afatgjatë të zhvillimit të forcave të armatosura 2024-2033” dhe “Strategjinë ushtarake të Republikës së Shqipërisë”. Numri i personelit aktiv të Forcave të Armatosura do të jetë 8500 pjesëtarë aktivë dhe 2100 rezervistë, nëse kushtet dhe mjedisi i sigurisë nuk kërkojnë rritjen e tij. Zhvillimi i burimeve njerëzore do të synojë arritjen e një force cilësore të motivuar, të trajnuar, të pajisur dhe të ndërveprueshme me forcat aleate.

Forcat e Armatosura do të sigurojnë dhe rrisin kapacitetet e tyre operacionale nëpërmjet modernizimit të sistemeve dhe pajisjeve të tyre, për të garantuar mbrojtjen kombëtare dhe për të përmbushur detyrimet në kuadër të mbrojtjes kolektive. Në këtë mënyrë, Forcat e Armatosura janë të përgatitur për t’iu përgjigjur kërkesave të paketës së re të Objektivave të Kapaciteteve të cilat priten të jenë akoma më ambicioze.

Fokusi kryesor do të jetë modernizimi i sistemeve të mbrojtjes kundër dronëve, mbrojtjes ajrore me sisteme me rreze të shkurtër veprimi, si dhe sistemeve të mbrojtjes me rreze të mesme veprimi. Ndërkohë, që do të modernizohet Baza  Ajrore e NATO-s në Kuçovë me sisteme të kontrollit dhe komunikimit.

Në Strategjinë Ushtarake të Republikës së Shqipërisë theksohet se “në përmbushje të detyrimeve nën nenin 3 të Traktatit të Uashingtonit dhe në zbatim të vendimit të marrë nga krerët e vendeve aleate në Samitin e NATO-s në Vilnius 2023, do të synohet që buxheti i Mbrojtjes të jetë jo më pak se dy për qind i Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe shpenzimet për investime dhe pajisje e armatime të jenë në 20 për qind të buxhetit të Mbrojtjes, sikurse është pranuar edhe në Deklaratën e Samitit të Uellsit”./Tema