Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Besnik Dervishi, u shpreh se Shqipëria ka përafrim gati 100% të kuadrit ligjor me Bashkimin Evropian.

Në fjalën e tij në Konferencën e VI Kombëtare të së Drejtës për Informim, Dervishi tha se, rruga drejt arritjes së standardeve më të larta të transparencës është ende e gjatë dhe e vështirë.

Po ashtu, Dervishi nënvizoi se procesi screening tregoi se administrata publike është e aftë për të përballuar sfidat e integrimit evropian të vendit.

“Mund të konsiderohemi një nga vendet me kuadrin ligjor më të plotë për të drejtën për informim. Kemi një nga ligjet më të mira në botë dhe përmirësimet e vitit të kaluar e përmirësojnë  e forcojnë edhe më tepër zbatimin e tij.

Kemi përafrim gati 100% të kuadrit ligjor me BE përsa i përket të dhënave të hapura dhe përdorimin e informacionit publik”, tha Dervishi.

Sipas tij, sot ka në qarkullim më shumë informacion se në çdo periudhë tjetër.

“Rruga drejt arritjes së standardeve më të larta të transparencës është e gjatë dhe e vështirë. Procesi screening tregoi se administrata publike është e aftë për të përballuar sfidat e integrimit evropian të vendit”, u shpreh ai.

Dervishi shtoi se, çdo proces transparent e bën gati të pamundur korrupsionin dhe çdo akt korruptiv një nga elementët kryesorë ka mungesën e transparencës.

“Transparenca dhe lufta kundër korrupsionit janë të lidhura ngushtësisht sepse përjashtojnë njëra-tjetrën.

Çdo proces transparent e bën gati të pamundur korrupsionin dhe çdo akt korruptiv një nga elementët kryesorë ka mungesën e transparencës”, theksoi Dervishi.

Dervishi bëri të ditur se, Zyra e Komisionerit gjatë këtyre viteve ka trajtuar mbi 7 300 ankesa duke patur një trend vitet e fundit prej rreth 1 000 ankesa në vit.

Sipas tij, në tërësi konstatohet mungesë ndërgjegjësimi shoqëruar në jo pak raste edhe me neglizhencë.

“Kjo reflektohet qartë gjatë procesit të shqyrtimit të ankimit administrativ, ku mbi 70% e ankesave (nga rreth 1000 të tilla në vit) zgjidhen dhe merret informacioni me fillimin procesit të shqyrtimit apo të hetimit administrativ nga ZK. Situatë e cila prodhon kosto të panevojshme në lidhje me perceptimin publik për transparencën e autoritetit publik dhe në tërësi për zbatimin e të drejtës për informim”, u shpreh Dervishi.

Gjithashtu vuri në dukje ai, vijon të këtë raste të keqinterpretimit të së drejtës së autorit të subjekteve të cilët marrin pjesë në një procedurë administrative

Dervishi tha se, “sot është rasti që të lidhim kontratën për një sfidë te re, transparencën e Autoritetve Publike, që forcon llogaridhënien, për përfshirjen e qytetarëve dhe sa më shumë aktoreve të shoqërisë civile, medias, botës akademike, në rolin e tyre të pazëvendësueshëm, në funksion të ndërtimit të një klime transparente që e refuzon korrupsionin”.

 

Fjala e plotë e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Besnik Dervishi:

Sot mbahet Konferenca e VI Kombëtare e të Drejtës për Informim duke patur në qendër të saj Ndërtimin e besimit – Promovimi i transparencës, llogaridhënies dhe integritetit në politikat kundër korrupsionit.

Dëshiroj të falënderoj Ju të gjithë për pjesëmarrjen në këtë Konferencë, koordinatorët për kontributin e përditshëm, përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe medias që na mbajnë gjithë kohës zgjuar dhe veçanërisht Ministren Pirdeni dhe stafin e saj për kontributin e tyre në bashkëorganizimin e këtij aktiviteti.

Mund të konsiderohemi një nga vendet me kuadrin ligjor më të plotë të së drejtës për informim, kemi një nga ligjet më të mira në botë, dhe ku përmirësimet e vitit të kaluar e forcojnë edhe më tepër zbatimin e tij.

Po ashtu, kemi një akt ndërkombëtar të së drejtës për informim, që pak vende e kanë bërë pjesë të legjislacionit të tyre, Konventa 205 e Këshillit të Evropës “Mbi aksesin në dokumente zyrtare”, përafrim gati 100% me kuadrin ligjor të BE përsa i përket të dhënave të hapura dhe ripërdorimin e informacionit publik, të gjitha këto të miratuara në dy vitet e fundit, si edhe ligjin Për njoftimin dhe konsultimin publik.

Pa mohuar në asnjë rast atë çfarë është bërë mirë, kjo edhe nga autoritetet publike, pasi sot kemi në qarkullim me shumë informacion se në çdo periudhë tjetër, ne mendojmë se rruga drejt arritjes së standardeve më të larta të transparencës është ende e gjatë dhe e vështirë.

Dhe do t’ju lutesha të më jepnit një arsye se përse nuk kemi të drejtën ta pretendojmë një gjë të tillë.

Zyra e Komisionerit është e angazhuar në mënyrë konstante për të ndarë eksperiencën e saj edhe në aktivitete ndërkombëtare që nga bashkëpunimi i ngushtë me Autoritetin Italian dhe Gjerman, grupe pune apo në aktivitete të organizuar nga UN, OECD, OSBE, KiE… dhe deri në të fundit, mikpritjen e aktivitetit më të rëndësishëm botëror në fushën e të drejtës për informim, Konferencën e XV….ICIC.

Procesi screening tregoi se administrata jonë publike është më se e aftë për të përballuar sfidat e integrimit evropian të vendit, ku edhe ne si Zyrë Komisioneri kemi dhënë kontributin tonë modest në disa drejtime.

Transparenca si objektiv strategjik në vetvete, por jo vetëm, transparenca edhe në pozicionimin e saj si paradhoma e luftës kundër korrupsionit, përcakton qartë sfidën për secilin prej institucioneve tona.

Transparenca dhe lufta kundër korrupsionit janë të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën, sepse përjashtojnë njëra-tjetrën, çdo proces transparent e bën gati të pamundur korrupsionin, ashtu si nga ana tjetër çdo akt korruptiv një nga elementet kryesor ka mungesën e transparencës.

Gjatë një viti, ashtu si informohet nga vetë Autoritetet Publike, dërgohen pranë tyre mbi 12 mijë kërkesa për informacion. Nuk është një shifër e ekzagjeruar.

Zyra e Komisionerit gjatë këtyre viteve ka trajtuar mbi 7 300 ankesa duke patur një trend vitet e fundit prej rreth 1 000 ankesa në vit.

Instrumenti më i rëndësishëm në funksion të të drejtës për informim, mbetet Programi i Transparencës, që duhet të jetë burimi kryesor i informacionit dhe që është informacioni që vendoset në dispozicion të publikut nga vetë Autoritetet Publike.

Pra, duke u kthyer tek aftësia e Administratës sonë Publike, nga njëra anë ka një angazhim dhe vullnet…kuadri ligjor i plotë dhe nga më të mirët në botë, nga ana tjetër le të shohim konkretisht se ku qëndrojnë problematikat në zbatimin në praktik të aksesit në informacion publik, transparencës proaktive dhe llogaridhënies ndaj qytetarëve.

Drejtuesit e Autoriteteve Publike nuk kujdesen për publikimin dhe përditësimin e informacionit në Programin e Transparencës.

Përditësohen me informacion ne kohë reale rrjetet sociale (twitter, instagram, facebook/meta), dhe jo programet e transparencës që janë detyrim ligjor.

Konstatohet rezistencë, si dhe padijeni/mungesë ndërgjegjësimi nga ana e administratës për të publikuar në mënyrë proaktive informacion me karakter publik duke filluar nga jetëshkrimi i drejtuesve/anëtarëve të kabineteve, legjislacioni i përditësuar, rregulloret, të dhënat e realizimit të buxhetit, listën e kontratave të nënshkruara dhe deri tek informacioni mbi ofrimin e shërbimeve për qytetarët.

Për të shkuar më tej, Legjislacioni për të drejtën e Informimit parashikon në nenin 7 të tij (programi i transparencës) minimumin e transparencës proaktive të autoritetit publik, duke i dhënë mundësi këtij të fundit që në varësi të specifikave të veprimtarisë së tij, të publikojë gjithashtu çdo informacion tjetër që gjykon të dobishëm për qytetarët, në rubrikën e fundit të programit të transparencës.

Për fat të keq, ky parashikim i ligjit për të Drejtën e Informimit nuk na rezulton të lexohet nga Autoritetet Publike.

Në tërësi konstatohet mungesë ndërgjegjësimi shoqëruar në jo pak raste edhe me neglizhencë.

Kjo reflektohet qartë gjatë procesit të shqyrtimit të ankimit administrativ, ku mbi 70% e ankesave (nga rreth 1000 të tilla në vit) zgjidhen dhe merret informacioni me fillimin procesit të shqyrtimit apo të hetimit administrativ nga Zyra e Komisionerit.

Situatë e cila prodhon kosto të panevojshme në lidhje me perceptimin publik për transparencën e autoritetit publik dhe në tërësi për zbatimin e të drejtës për informim.

Prodhon kosto gjithashtu dhe administrative/në kohë dhe në burime njerëzore, por kosto më e rëndë është në procesin e integrimit në BE dhe Raportet e Vlerësimit ku transparenca dhe llogaridhënia e administratës publike është një nga kriteret bazë.

Ende konstatohet ndryshim i shpeshtë i koordinatorit, caktimi i tij ose i saj në nivel ekzekutiv, apo të ulët drejtues si dhe kufizim aksesi në strukturat e tjera të AP.

Rekomandimi i vazhdueshëm është fuqizimi i koordinatorit për të drejtën e informimit, si fytyra e autoritetit publik në raport me qytetarët, nëpërmjet aksesit të drejtëpërdrejtë me titullarin, si dhe për aq sa mund të jetë e mundur krijimi i një pozicioni/strukture të dedikuar për këtë funksion.

Gjatë trajtimit të ankesave nga ana e koordinatorëve është ngritur si shqetësim, si dhe konstatohen vonesa që shkaktohen nga ana e drejtuesve të lartë apo strukturave të caktuara, në verifikimin e përgjigjes përfundimtare, e cila sjell shkelje të afateve të përcaktuara në Ligjin për të Drejtën e Informimit për aksesin e informacionit, me kosto të drejtpërdrejtë kjo për transparencën e autoritetit publik.

Vazhdon të ketë paqartësi nga ana e autoriteteve publike lidhur me konceptin e konfidencialitetit në kontratat publike, i trajtuar jo në përputhje me parashikimet e nenit 17 të ligjit (kufizimet).

Në kontratat publike shpesh parashikohen dispozita konfidencialiteti për informacionin/dokumentacionin që lidhet me to dhe në rast të mos zbatimit të tyre, parashikohen sanksione ndaj Autoriteteve Publike.

Për të shmangur këtë problematikë, është e nevojshme që në klauzolat e konfidencialitetit të specifikohet baza ligjore mbi të cilën bazohet autorizimi për përdorimin e këtij kufizimi, si dhe të qartësohen se mbi cilën pjesë të informacionit shtrihen ato, duke pasur parasysh që nuk mund të mbizotërojë mbi parashikimet e ligjit për të drejtën për informim, përveçse kur parashikohet ndryshe në ligjin specifik.

Autoritetet Publike refuzojnë të vendosin në dispozicion informacionin e kërkuar, duke pretenduar për dëme të cilat mund t’i shkaktohen shtetit shqiptar nga palë të treta (procese që mund të atakohen në gjykatë/arbitrazh), pa referuar bazën ligjore mbi të cilën ngrihet ky pretendim, si dhe pa bërë testin e domosdoshmërisë, proporcionalitetit dhe interesit publik gjatë kufizimit të informacionit.

Padiskutim që ky është një proces i cili kërkon një vëmendje të shtuar dhe ekspertizë më të thelluar nga ana e autoriteteve publike, por në çdo rast nuk përmban shkak ligjor që te kufizohet një e drejtë kushtetuese për këtë mungesë njohurish nga ana e zyrtarëve.

Vijon të këtë raste të keqinterpretimit të së drejtës së autorit të subjekteve të cilët marrin pjesë në një procedurë administrative ku shkohet përtej nga parashikimet e nenit 17 të LDI apo legjislacionit specifik që rregullon të drejtën e autorit.

Shpesh herë delegohen kërkesat për informacion nga njëri Autoriteti Publik tek tjetri, edhe pse informacioni i kërkuar disponohet nga vetë AP i cili e ka deleguar atë.

Ne mbështetemi në parimin e mirëbesimit, duke marrë të mirëqenë përgjigjen e kthyer, mbështetur kjo edhe në parimin e luajalitetit mbi të cilin duhet të funksionojë e gjithë administrata publike dhe veçanërisht raporti Autoritet Publik – Komisioner.

Konstatohet një mos rakordim midis strukturave të brendshme të Autoriteteve Publike apo edhe për përcjelljen në Zyrën e Medias, të kërkesave të gazetarëve cilat lidhen me pyetje, intervista, apo prononcime në media të titullarëve.

Vet autoritetet publike duhet të marrin masa organizative për të trajtuar në mënyrë të diferencuar kërkesat për intervista, prononcime apo pyetjet nga gazetarët duke mos ia kaluar për trajtim këto koordinatorit për të drejtën e informimit pasi nuk kemi të bëjmë më informacion publik në kuptim të Ligjit për të Drejtën e Informimit, por më informacion që ka interes për publikun.

Autoritetet Publike nuk zbatojnë legjislacionet e posaçme të cilat rregullojnë një fushë të caktuar si, psh: ligji për avokatinë, ligji për kadastrën etj, duke sjellë një ngarkesë të panevojshme për Zyrën e Komisionerit, por edhe burokraci dhe vonesë për shërbimet ndaj qytetarit.

Vështirësi në realizimin e procesit të njoftimit dhe konsultimit publik më e theksuar nga ana e Këshillave Bashkiak, i cili duhet të koordinohet me administratën e Bashkisë dhe të publikohet në Programin e Transparencës në faqen zyrtare.

Me qëllim përmirësimin e transparencës proaktive dhe shmangien e disa prej problematikave të listuara më lartë, ne jemi në proces studimi të disa modeleve efektive ndërkombëtare, të cilat fokusohen tek transparenca proaktive digjitale, si edhe do të sqarohet në panelin e dytë të kësaj konference.

Zbatimi i të drejtës për informim globalisht nuk është çështje sanksioni administrativ, por është çështje kulture, ndërgjegjësimi, qytetarie dhe përgjegjshmërie.

Një funksionar që refuzon të bëjë publik informacionin kur nuk ka një bazë ligjore, ose ka mungesë kulture transparence, ose ka mungesë profesionalizmi, ose mbetet që ka diçka për të fshehur.

Do të doja të shpenzoja dy fjalë më shumë për këtë të fundit. Në përvojën tonë shumë rrallë ka ndodhur që informacioni të mos jepet për këtë arsye.

Rëndom refuzimi ndodh për neglizhencë, mungesë analize profesionale, edhe arrogance po të doni…

Por perceptimi për të gjithë këto raste është se këtu ka diçka për të fshehur.

Dhe akoma më keq. Një informacion që nuk është i klasifikuar, apo nuk kemi një nga rastet e kufizimit të tij, në një mënyrë apo në një tjetër, herët apo vonë, aq më shumë kur bëhet edhe objekt investigimi mediatik, bëhet publik.

Dhe këtu është problemi mënyrës se si i serviret publikut, ku shpesh ndodh që keqpërdoret, përdoret për interesa jo të ligjshme, përdoret për interesa të luftës politike apo edhe deri në elementë të dezinformimit.

Prandaj kjo nuk duhet të ndodhë.

Ne kryejmë disa herë në vit monitorimin e Programeve të transparencës të Autoriteteve Publike.

Kjo përmblidhet në fund në Indeksin e transparencës në të cilin çdo Autoritet Publik gjen vlerësimin e tij në raport me transparencën proaktive.

Por ne kemi bindjen se mjaftojnë vetëm disa ndërhyrje të vogla për të realizuar një përmirësim të ndjeshëm të situatës së të drejtës për informim dhe transparencës.

  1. Autoritet Publike të kthejnë përgjigje….
  2. Trajnime nga ASPA për të gjitha nivelet nga pranimet deri në TND…
  3. Përgjigjet për kërkesat të jenë të aksesueshme në mënyrë proaktive, dmth… si dhe vijimi i digjitalizimit me regjistrin elektronik apo edhe deri programin e-transparenca që mat performancën e Autoriteteve Publike.
  4. Reduktim i numrit të ankesave që jepet informacioni pas fillimit të shqyrtimit administrativ nga Zyra e Komisionerit.
  5. Programi i Transparencës është vetëm pikënisja e informacionit proaktiv dmth… në rubrikën “Çdo informacion tjetër”, Autoriteti Publik duhet të pasqyroje të gjithë aktivitetin e tij.

Këto janë disa masa krejt të thjeshta dhe të mundshme, lehtësisht të realizueshme pa asnjë lloj kosto, por vetëm çështje vullneti në zbatim të ligjit.

Në vijim, mundësisht brenda këtij viti, ne do të fillojmë projektin pilot të auditimit të disa Autoriteteve Publike për vlerësimin e ndikimit dhe performancën në transparencën proaktive.

Partnerët ndërkombëtarë janë të ftuar të na bashkohen.

Sot është rasti që të lidhim kontratën për një sfidë te re, transparencën e Autoriteteve Publike, që forcon llogaridhënien, për përfshirjen e qytetarëve dhe sa më shumë aktoreve të shoqërisë civile, medias, botës akademike, në rolin e tyre të pazëvendësueshëm, në funksion të ndërtimit të një klime transparente që e refuzon korrupsionin./ata