Kryetarja e Komisionit të Shëndetësiëe, deputetja e Partisë Demokratike, Zheni Gjergji u shpreh sot në një deklaratë për mediet nga Kryesia e Kuvendit, se rasti i abuzimeve në Spitalin Onkologjik, përbën një të vërtetë rrënqethëse.
“Jeta dhe fati i mijëra qytetarëve shqiptarë të diagnostikuar me sëmundje tumorale, shpesh terminale, në vend që të gjenin një trajtim dinjitoz shëndetësor publik, në fakt janë përballur me një abuzim çnjerëzor, duke u trajtuar si plaçkë për përfitime financiare midis stafit shëndetësor, drejtueseve të institucionit, klinikave private dhe firmave farmaceutike klienteliste”, u shpreh Gjergji.
Ajo deklaroi se organet e drejtësisë do të duhet të thellojnë hetimet tek Spitali Onkologjik dhe në të gjithë rrjetin e shërbimeve shëndetësore.
“Megjithatë, nuk mund të njollosen te gjithë mjekët e puna e tyre shpesh në kufijtë e sakrificës njerëzore. Por nga ana tjetër çdo bluzë e bardhë që abuzon me detyrën, do të duhet të përballet me forcën e pamëshirshme të ligjit”, theksoi ajo.
“SPAK dhe organet e Drejtësisë do të duhet të angazhohen në një hetim të thelluar pse mungojnë medikamentet pranë Onkologjikut dhe shërbimet e tjera spitalore? Pse Ministria e Shëndetësisë nuk mori masa ndonëse prej muajsh opozita, qytetarët dhe mediat kanë denoncuar situatën e rëndë në Onkologjik dhe në sistemin tonë shëndetësor?”, vijoi Gjergji.
Ajo vuri në dukje se raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit bën të ditur se megjithëse rastet me tumore në vendin tonë janë shtuar shumë vitet e fundit, fondet e Spitalit Onkologjik kanë ngelur të njëjta, të pandryshuara./ata