Në Ohër të Maqedonisë së Veriut është hapur zyrtarisht "Kampi veror ndërkombëtar i skautistëve", i cili organizohet në këtë qytet për të 14-ën herë.

Kampi veror organizohet nga Federata e Skautistëve e Türkiye-s dhe Klubi i Skautistëve "Kalkan" nga Tetova, në mbështetje të Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Zhvillim (TIKA).

Në ceremoninë e hapjes, ndër qindra skautistë nga Türkiye dhe vendet e Ballkanit u intonuan himnet kombëtare të vendeve pjesëmarrëse, ndërsa përfaqësues të grupeve skautiste prezantuan veten, uruan që të përfundojnë luftërat, përfshirë ajo në Palestinë, si dhe paqe në mbarë botën.

Në fjalën e tij në ceremoninë e hapjes, kreu i Federatës së Skautistëve Turk, Hasan Dinçer Subaşı, tha se, "Siç mund ta shihni, kufijtë e zemrave të njerëzve nuk kufizohen vetëm në kufijtë e trojeve të tyre. Ne po flasim me të njëjtën zemër, nëse mund ta vëreni".

Koordinatori i TIKA-s në Shkup, Mehmet Bayrak, nga ana e tij, tha se TIKA i kushton shumë rëndësi mbështetjes së aktiviteteve të tilla që do të kontribuojnë pozitivisht në zhvillimin e fëmijëve dhe të rinjve.

Kryetari i Shoqatës "Kalkan", Cengiz Destan, duke falënderuar mbështetësit e kampit, tha se pas 14 viteve organizim tani kanë arritur si klubi i skautistëve në rreth 1400 skautistë dhe organizojnë një kamp me pjesëmarrjen e rreth 300 skautistëve.
 

Federata Turke e Skautistëve dhe Klubi i skautistëve "Kalkan" u dhanë dhurata institucioneve dhe organizatave që mbështetën "Kampin veror të 14-të ndërkombëtar të skautistëve", përfshirë për Anadolu-n

Në kuadër të programit, klubi folklorik i Shoqatës "Yeni Hayat" me seli në Maqedoninë e Veriut zhvilloi një shfaqje të valleve popullore.

Kampi me rreth 300 skautistë pjesëmarrës nga Türkiye dhe vendet e Ballkanit përfundon të enjten, më 27 qershor./aa