“Maratona e shkretëtirës së Kapadokyas”, me një gjatësi prej 30 kilometrash, ka filluar në qarkun Göreme të Nevşehirit.

Përafërsisht 300 vrapues nga 42 vende janë mbledhur për të marrë pjesë në këtë garë sfiduese. Ata e kaluan natën në tendat e ngritura në vijën e nisjes, duke u përgatitur për garën në vazhdim.

Gara filloi në orën 5:30 të mëngjesit sipas kohës lokale, kur vrapuesit u nisën duke përshkuar luginat piktoreske në Kılıclar, Güllüdere, Kızılçukur, Aşk dhe Güvercinlik, të gjitha të njohura për peisazhet e tyre mahnitëse. Gara do të përfundojë në afërsi të fshatit Çavuşin.

Organizatori i eventit, Cyril Gauthier, shprehu urimet më të mira për pjesëmarrësit gjatë një interviste për Anadolu.

"Ne kemi organizuar më parë këtë maratonë të shkretëtirës në Jordani, Egjipt dhe Marok, dhe tani jemi të emocionuar që jemi në Kapadokya. Vrapuesit janë të kënaqur sepse ky është një vend i mrekullueshëm. Jemi shumë të lumtur që jemi këtu. Pamja ishte mbresëlënëse, me balonat me ajër të nxehtë që shtojnë bukurinë e vrapimit", tha Gauthier.

Ceremonia e ndarjes së çmimeve është planifikuar të mbahet në orën 14:30 sipas kohës lokale në Göreme./aa