Në një ceremoni solemne, kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, përshëndeti 55 magjistratët e rinj të diplomuar, nga të cilët 32 gjyqtarë dhe 23 prokurorë, të cilët së shpejti do t’i bashkohen komunitetit të magjistratëve. Sadushi vlerësoi kontributin dhe përkushtimin e tyre, duke theksuar se ky moment është i veçantë dhe i rëndësishëm për secilin prej tyre.
Në fjalimin e tij, Sadushi dha disa këshilla për magjistratët e rinj, duke theksuar rëndësinë e integritetit, kurajës, durimit dhe maturisë në ushtrimin e detyrës së tyre. Ai theksoi se drejtësia kërkon një zë të fortë dhe të dëgjueshëm, që përçon siguri dhe integritet.
“Ju keni përgjegjësinë për të bërë që sistemi i drejtësisë të ndryshojë dhe të bëhet i besueshëm. Ju duhet të dini se një magjistrati i duhet integritet, kurajë, durim dhe maturi për të vepruar në emër të së drejtës. Duhet të jeni të vetëdijshëm për pushtetin që ju jepet, për dinjitetin e funksionit, por edhe për kufizimet që ju imponohen. Funksioni që do të ushtroni ka pushtet dhe fuqi të madhe. Prandaj nuk duhet ta keqpërdorni”, u shpreh Sadushi.
Sipas tij, drejtësia ka nevojë për një zë të fortë dhe të dëgjueshëm. “Magjistrati duhet ta gjejë zërin në sallën e gjykimit, aty ku ai, pavarësisht ndrojtjes, hezitimit, pasigurisë, rezervave që ka, duhet që të flasë dhe zëri i tij që përçon drejtësinë të jehojë, jo duke bërë zhurmë, por duke përçuar siguri dhe integritet. Zëri i drejtësisë duhet të dëgjohet nga viktima që ka humbur dinjitetin, nga autori i veprës që ka humbur arsyen, nga pala që ka humbur shpresën dhe besimin te drejtësia, nga i dobëti dhe i pambrojturi që është i frikësuar nga padrejtësia. Zëri juaj është zëri që përçon shpresë dhe besim”, theksoi Sadushi.
Nëse përballeni me çështje që janë të rëndësishme për ju ose komunitetin ku bëni pjesë, mos qëndroni pasiv dhe indiferent, por bëni diçka. Indiferenca është sjellja më e dëmshme që një profesionist i së drejtës mund të reflektojë. Synoni dhe përpiquni të merrni rol, aty ku është e mundur dhe e nevojshme. Angazhimi juaj profesional nuk është vetëm seanca gjyqësore, por edhe vendimmarrje të tjera, jashtë sallës së gjykimit, të lidhura indirekt me të.
Ai i inkurajoi magjistratët të jenë aktivë dhe të angazhuar në çështjet që kanë rëndësi për komunitetin e tyre dhe të marrin rol aty ku është e nevojshme. Sadushi theksoi se pavarësia e gjyqtarëve është për të garantuar detyrën e tyre, por nuk i bën ata të pakontrollueshëm.
“Sa herë të hyni në sallën e gjykimit hyni me ndjenjën e thellë se ndërsa gjykoni, prisni edhe të gjykoheni. Pavarësia iu jepet për t’iu garantuar detyrën, por nuk ju bën të pakontrollueshëm. Vetëm në këtë mënyrë do të forconi besimin e publikut tek sistemi i drejtësisë. Merrni me seriozitet dhe ndjeshmëri çdo problem dhe vështirësi me të cilat përballen qytetarët, kolegët tuaj dhe gjykatat e prokuroritë, ku ato punojnë. Bëjeni këtë që ditën e parë të detyrës suaj e deri në ditën e fundit. Ky do të jetë shpërblimi më i mirë që do t’i bëni sistemit të drejtësisë dhe justifikimi më i mirë dhe kuptimplotë që do t’i bëni diplomës që do të merrni sot!”, theksoi Sadushi
“Mos harroni: askush më mirë se magjistratët nuk i di problemet e sistemit të drejtësisë, askush më mirë se magjistratët nuk e kupton dhe ndjen peshën e padrejtësisë, cenimin e pavarësisë dhe presionin për shkak të saj. Prandaj përpiquni sa të mundeni ta bëni sistemin e drejtësisë të besueshëm, profesional dhe me integritet. Nëse e bëni këtë, në fund të karrierës suaj do të mund të thoni me krenari se kontribuat sa mundët dhe latë gjurmë në rrugën e vështirë të konsolidimit të shtetit të së drejtës. Nëse e bëni këtë, keni realizuar dhe detyrën tuaj si qytetarë evropianë të këtij vendi”, tha kreu i Gjykatës së Lartë
Në përfundim, kryetari i Gjykatës së Lartë uroi suksese magjistratëve të rinj, duke shpresuar se ata do të kontribuojnë në forcimin e besimit të publikut tek sistemi i drejtësisë dhe do të lënë gjurmë në konsolidimin e shtetit të së drejtës./ata