Familja Durdaj, e prekur nga shpërthimi në “Gërdec”, pasi ka humbur djalin e mitur, palë në procesin gjyqësor ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu i ka dërguar një shkresë Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Në shkresë, familja Durda kërkon përshpejtim të procesit dhe marrjen e masës së sigurisë, ndalimi i daljes jashtë vendit për ish-ministrin Mediu.

Shkresa e familjes Dudaj i është drejtuar kreut të SPAK, Altin Dumani, dhe prokurorëve të dosjes Klodian Braho, Arben Kraja, ndërsa mban datën 26 qershor 2024.

“Shtetasi Fatmir Mediu është hetuar në gjendje të lirë dhe deri më sot vijon të gjykohet në në gjendje të lirë. Sigurisht, jemi të vetëdijshëm që është organi i akuzës që i vlerëson vetë nevojat e sigurimit, por përsëri shprehim shqetësimin tonë që një masë sigurimi është e nevojshme në rastin konkret, nisur nga praktika e zakonshme e SPAK, si dhe nga faktet që: shtetasi Fatmir Mediu, në gjendje të lirë, ka mundësi më të mëdha për të ndikuar te dëshmitarët dhe ekspertët e procesit penal për sa kohë, me ritin e gjykimit të zakonshëm, këta persona thirren për të dëshmuar edhe një herë para gjykatës, përveç deklarimeve të dhëna më herët para prokurorëve”, lexohet në shkresën e familjes Durdaj.

“Sipas raportimeve mediatike, shtetasi Fatmir Mediu rezulton të ketë vizituar SHBA, ndërkohë që me anë të letërporosisë është kërkuar marrja në pyetje nga autoriteteve vendase të dëshmitarëve me shtetësi amerikane. Në të kaluarën ka ndodhur që persona të gjykuar në gjendje të lirë të jenë larguar jashtë Shqipërisë duke e vështirësuar procesin dhe madje bërë të pamundur ekzekutimin e dënimit të tyre”, vijon letra.

“Një situatë e tillë, nëse ndodh, cenon të drejtat tona të parashikuara nga neni 58 i KPP, sepse nuk krijon sigurinë për të bërë një ndjekje penale efektive me të gjithë pasojat e saj”, lexohet në shkresën e familjes Durdaj.

Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, po përballet në GJKKO me akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”, për ngjarjen e ndodhur në 15 mars 2008 në fshatin Gërdec, ku pas një shpërthimi në fabrikën e demontimit të armëve, humbën jetën 26 persona. SPAK hetoi përgjegjësinë e ish-ministrit në ngjarjen tragjike të marsit të vitit 2008, ndërsa e regjistroi si procedim penal në tetor të vitit 2021./ata