Në mbledhjen e sotme të Komisionit të Çështjeve Evropiane, deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, shprehu shqetësimet e saj lidhur me Udhërrëfyesin për Integrimin në Bashkimin Evropian.

Tabaku u shpreh se qeveria dhe shumica socialiste ka treguar mungesë vullneti politik në implementimin e reformës zgjedhore sipas rekomandimeve të OSBE-ODIHR.

Tabaku vuri në dukje se, një sërë masash, të cilat fillimisht ishin planifikuar për periudhën 2023-2024, janë shtyrë për në vitin 2025 dhe madje disa deri në 2030. “Kur nuk janë kryer ndryshime deri më tani, cila është garancia që jepni ju se do të bëhen në vijim dhe që janë të thjeshta?” u shpreh ajo, duke theksuar mungesën e veprimit konkret nga ana e qeverisë.

“Mungesë e vullnetit politik për të ndërmarrë një reformë zgjedhore sipas këshillave të OSBE-ODIHR. Plotësimi i vendeve vakante: Aktualisht, 22 vende vakante në institucione publike presin të plotësohen nga Kuvendi”, tha Tabaku.

Tabaku theksoi se, kjo vonesë dëmton funksionimin institucional.

Për ndryshimet ligjore, Tabaku nënvizoi nevojën për ndryshime në ligjin për shoqërinë civile, ligjin e konfliktit të interesit dhe ligjin për sponsorizimin e partive politike.

Për aksesin në fondet publike, Tabaku u shpreh se, “si mund të sigurohet që e gjithë shoqëria civile të ketë akses në fondet publike, duke vënë në dukje mungesën e transparencës dhe barazisë”.

Tabaku përfundoi duke theksuar se udhërrëfyesi aktual është “shumë larg realitetit” dhe se qeveria nuk ka dëshirë të implementojë ndryshimet e nevojshme. “Një veprim i tillë qartazi është dëshmi e vullnetit të munguar të qeverisë,” deklaroi ajo./ata