Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu kërkoi sot në Kuvend që shëndeti seksual dhe riprodhues i grave dhe vajzave shqiptare të mos bëhet pjesë e debateve, thjesht e vetëm politike, por të vlerësohet me kujdes e respektin e merituar nga të gjithë.
Duke u përgjigjur në interpelancën e kërkuar nga deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu lidhur me projektligjin për shëndetin riprodhues, Koçiu tha se “mënyra tendencioze e formulimit të pyetjeve tuaja nuk synon të nxjerrë në dritë të vërtetën, por përpiqet të krijojë një debat shterpë të ngritur mbi informacione të pavërteta”.
“Përgjatë gjithë këtyre viteve shëndeti dhe përkujdesja për gruan kanë qenë dhe mbeten në qendër të politikave dhe reformave të kësaj qeverie dhe Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Çdo vit nga buxheti i shtetit janë financuar programe që mbështesin planifikimin familjar apo që rrisin ndërgjegjësimin për rëndësinë e mirëqenies riprodhuese”, tha Koçiu.
Në sektorin shëndetësor, vijoi Koçiu, të udhëhequr nga vizioni i shëndetësisë universale Shqipëria mbështet fuqimisht gruan dhe shëndetin e saj riprodhues dhe këtë e bëjnë në një masë të madhe falas kudo.
Sa i përket shëndetit riprodhues, Koçiu bëri të ditur se Shqipëria bën pjesë në listën e atyre vendeve të zhvilluara ku të gjitha lindjet ndodhin në qendrat e specializuara mjekësore në mbi 90% të rasteve në praninë e mjekut obstetër.
Sipas saj, shërbimi obstetri-gjinekologji ofrohet në të gjitha spitalet rajonale dhe bashkiake.
Duke iu drejtuar deputetit Shehu, Koçiu tha se “e keni kërkuar këtë interpelancë në emër të nënave dhe vajzave shqiptare. Por, terminologjia që ju përdorni është fyese dhe denigruese. Dhe duke qëndruar tek e vërteta nëse Kuvendi do të mbështesë në të ardhmen lejimin e surrogacisë për arsye shëndetësore kjo në asnjë mënyrë dhe në asnjë formë nuk do të cenojë dinjitetin apo të drejtat e gruas”.
Përkundrazi, vijoi Koçiu, përforcon një prej të drejtave të njeriut që është ajo për të patur fëmijë dhe për të planifikuar familjen.
“Një lejim i tillë nuk do të ndodhë në asnjë rast dhe në asnjë moment përveçse për arsye shëndetësore. Përfshirë mijëra vajza gra që i janë nënshtruar sot ndërhyrjeve për arsye shëndetësore dhe që për një shkak nuk kanë mundur dot të kenë një fëmijë, kjo është një alternativë tjetër një mundësi tjetër, një mundësi ndryshe. Padyshim që paketat ligjore, ligji vet dhe aktet nënligjore do të garantojnë të gjithë hapat dhe të gjithë procedurat për të siguruar shmangien e abuzimeve apo problemet etike morale, apo shëndetësore në trajtimin e këtyre çështjeve”, nënvizoi Koçiu.
Ministrja Koçiu u shpreh se “grupet tona të punës të cilët i kanë analizuar me kujdes situatën legjislative dhe praktiket në shumë vende të zhvilluara, nga ato që e lejojnë plotësisht, deri tek ato që e ndalojnë plotësisht. Dhe dua të theksoj që nuk është as përgjegjësia jonë, as tagri jonë për të gjykuar apo për të analizuar vendet e tjera pse e lejojnë atje, pse ndalohet atje. Dua ta theksoj se objektivi ynë primar është rritja e aksesit të barabartë në shërbimin riprodhues në përputhje me nevojat e popullatës”.
Më tej Koçiu tha se “sa i përket pyetjeve që ju ngrini mbi një temë tjetër me shumë ndasi, si ajo e abortit, nuk ka asnjë të dhënë që ka një rritje të numrit të tyre. Madje, sipas INSTAT, shifrat janë konstante, për të mos thënë që në disa tregues vërehet një rënie e lehtë. E vërteta është se pas vendimit të ndërprerjes së një shtatzënie ka shumë arsye, të cilat janë personale dhe nuk është e drejtë të gjykohen në forume publike si ky. Roli ynë si politikbërës, si ligjvënës është të gjejmë një balancë sa më të mirë për të gjithë, nënën, fëmijët, familjen dhe shoqërinë”.
“Padiskutim jemi të vendosur të luftojmë me forcë fenomene të shëmtuara si ajo e abortit selektiv që është në fakt një vepër penale dhe një akt shumë i shëmtuar dhe që në draftin e përgatitur është parashikuar qartë ndalimi i tij. Por në lidhje me pyetjen tuaj për abortin dua të theksoj se MSHMS mbështet interesin e përgjithshëm publik, kërkon rritjen e aksesit të shëndetit seksual dhe riprodhues për gratë dhe vajzat shqiptare. Përcaktimi për mënyrën sesi lejohet, kohën brenda të cilës lejohet, ndëshkimet për abuzuesit dhe të tjera si këto janë gjithashtu të parashikuara qartë”, tha Koçiu.
Ministrja Koçiu u shpreh se “diçka tjetër që vlen të theksohet është se ne sot kemi një ligj në fuqi që e konsideron të ligjshme ndërprerjen e shtatzanisë në Republikën e Shqipërisë, brenda periudhës dhe me kushte të caktuara në ligj. Një ligjj që siç e thash në fillim është një ligj i vjetëruar”.
“Në fund, dua t’iu siguroj, se zgjerimi i mëtejshëm i mbulimit universal sa i përket shëndetit riprodhues dhe atij seksual është një përparësi absolute e MSHMS. Qendrat e Mjekësisë Familjare, modeli më i ri i qendrës shëndetësore do të ofrojë gjithashtu shërbimet e nevojshme në një godinë të vetme dhe është gjithashtu një hap më tej për të forcuar akoma më shumë kujdesin ndaj nënës, kujdesin ndaj fëmijës, mirërritjen e fëmijës me çështje si ushqyeshmëria dhe gjithë ato element që garantojnë shëndet dhe mirëqenie për familjen. Modeli siç thash është i rëndësishëm, do të forcojë akoma më shumë rolin e mjekut të familjes në drejtim të dhënies së shërbimit për gruan, metodat e planifikimit familjar ndjekjen e shtatzanisë, edukimin seksual për të rinj dhe adoleshentët si dhe kujdesin për mirërritjen e fëmijës”, theksoi Koçiu.
Jemi në prag të aplikimit të dy qendrave të para pilot, shtoi ministrja, do ta shtrijmë edhe në 10 qendra të tjera të Tiranës, për të garantuar më pas shtrirjen e këtij modeli të mjekësisë familjare në të gjithë qendrat tona shëndetësore.
Sa i përket draft ligjit, Koçiu bëri me dije se kemi zhvilluar 5 tryeza konsultuese me mbi 120 pjesëmarrës nga shoqatat, organizatat e shoqërisë civile, mjekë obstetër-gjinekologët e institucioneve publike dhe private si dhe organizatat partnere që kanë në fokus çështjet e shëndetit dhe të familjes si dhe çështjet e shëndetit riprodhues të tilla si OBSH, UNDP, etj.
“Kemi marrë rekomandime mjaft të vlefshme kemi përmirësuar draftin ekzistues dhe në vijim drafti do të ndjekim rrugën që duhet për t’u paraqitur në Kuvend. Ne besojmë se edhe për shkak të këtij kompleksiteti dhe ndjeshmërie që ka kjo çështje, bashkëpunimi padiskutim që mbetet thelbësore. Për këtë arsye uroj fort që diskutimi sot për shëndetin seksual dhe riprodhues të popullatës të kalojë ndasitë politike dhe të udhëhiqet vetëm nga dëshira dhe nevoja për të garantuar standard më të larta për qytetarët. Në këtë drejtim kontributi i gjithësecilit prej nesh është i domosdoshëm dhe i mirëpritur”, tha Koçiu./ata