Shumë palestinezë u vranë dhe u plagosën nga sulmet e ushtrisë izraelite në pika të ndryshme të Rripit të Gazës gjatë natës.
Izraeli vazhdon sulmet në Rripin e Gazës në ditën e 265-të, ku shkaktoi fatkeqësi të madhe humanitare duke i detyruar njerëzit të mbeten të uritur dhe të etur.
Sipas lajmit të agjencisë zyrtare palestineze WAFA, 6 persona humbën jetën dhe disa u plagosën si pasojë e sulmit të ushtrisë izraelite ndaj një grupi palestinezësh në rajonin Al-Ilmi të kampit të refugjatëve Jabalia në veri të Rripit të Gazës.
Avionët luftarakë izraelitë bombarduan një shtëpi në qytetin verior Beit Lahiya ndërsa ekipet mjekësore deri më tani kanë gjetur trupin e pajetë të një personi. Përpjekjet e kërkim-shpëtimit vazhdojnë.
Të paktën 2 persona humbën jetën në sulmin ajror të avionëve luftarakë izraelitë në 4 shtëpi në lagjen Es-Sabra të Gazës. Në sulmin e avionëve izraelitë në shkollën Al-Hanse në vendbanimin Absan të Khan Younis në jug të Rripit të Gazës, shumë palestinezë, përfshirë fëmijë dhe gra, humbën jetën dhe dhjetëra u plagosën.
Artileria e ushtrisë izraelite shënjestroi intensivisht lagjet Ez-Zaytun, Tel al-Hawa dhe Sheikh Ajlin të Gazës gjatë natës. Nga shumë zona shihej duke dalë tym. Ushtria izraelite vazhdon të bombardojë shtëpitë palestineze me eksploziv në perëndim të qytetit Rafah në jug të Rripit të Gazës.
Ministria e Shëndetësisë në Gaza dje në një deklaratë tha se në sulmet e Izraelit në Rripin e Gazës që nga 7 tetori, janë vrarë 37.718 palestinezë, përfshirë të paktën 15.694 fëmijë dhe 10.279 gra ndërsa 86.377 u plagosën.
Raportohet se ende ka mijëra të vdekur nën rrënoja, infrastruktura civile po shkatërrohet duke synuar spitalet dhe institucionet arsimore ku njerëzit ishin strehuar./aa