Qindra izraelitë kanë protestuar mbrëmë vonë pranë Ministrisë së Mbrojtjes në Tel Aviv, duke kërkuar dhënien fund të luftës dhe një marrëveshje për lirimin e pengjeve të mbajtura në Rripin e Gazës.
E përditshmja izraelite Maariv raporton se demonstruesit, përfshirë familjet e pengjeve, marshuan nga sheshi Habima në rrugën Begin, ku ndodhet ministria. Ata bllokuan rrugën Begin në drejtim të jugut.
Demonstruesit mbanin pankarta me slogane të tilla si "Ndal luftën", "Bëje tani" dhe "Ktheji të gjitha pengjet".
Organizatorët e demonstratës në një deklaratë kritikuan qeverinë e kryeministrit Benjamin Netanyahu se është e preokupuar me legjislacionin si Ligji për Rekrutimin, ndërkohë që ka 120 pengje në Rripin e Gazës. Ata thanë se qeveria izraelite është e "pushtuar me gjithçka, përveç pengjeve".
"Në përballje me dikë që këmbëngul për të vazhduar luftën dhe për të rikthyer disa prej pengjeve, ne kërkojmë të ndalni luftën dhe të ktheni të gjithë në shtëpi", theksuan ata duke iu referuar Netanyahu-t.
Të dielën në mbrëmje, Netanyahu shkaktoi një stuhi politike dhe tërhoqi zemërim midis familjeve të pengjeve kur për "Channel 14" tha se ishte gati për një marrëveshje "të pjesshme" për të tërhequr disa nga pengjet e mbajtura në Gaza.
Ai tërhoqi deklaratën e tij të hënën dhe tha para parlamentit izraelit se "ne nuk do ta përfundojmë luftën derisa të kthejmë të gjitha pengjet", duke shtuar se Izraeli është "i përkushtuar ndaj propozimit izraelit (armëpushimi) i mirëpritur nga presidenti Biden".
"Qëndrimi ynë nuk ka ndryshuar", tha ai.
Duke shkelur rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së që kërkon një armëpushim të menjëhershëm, Izraeli është përballur me kundërshtimin ndërkombëtar në mes të ofensivës brutale të vazhdueshme në Gaza që nga sulmi i 7 tetorit nga grupi palestinez Hamas.
Të paktën 37.700 palestinezë janë vrarë që atëherë në Gaza, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, si dhe rreth 86.400 të tjerë janë plagosur. Më shumë se tetë muaj pas sulmit izraelit, pjesë të mëdha të Gazës janë kthyer në gërmadha mes një bllokade gjymtuese të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.
Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, vendimi i fundit i së cilës e urdhëroi Tel Avivin të ndalojë menjëherë operacionin në qytetin jugor Rafah, ku më shumë se 1 milion palestinezë kanë kërkuar strehim nga lufta përpara se qyteti të pushtohej më 6 maj./aa